Lajme

Veseli bashkëbisedon me rininë

By FerizajPress

March 14, 2017

Ai ka dëgjuar nga afër problemet me të cilat ata ballafaqohen dhe si ata e shohin zgjidhjen e problemeve të ndryshme në qytetet ku jetojnë.

Studentët theksuan se për ta është domethënëse që ju jepet mundësia të japin mendimet e tyre për zgjidhjen e problemeve në vend.

Studenti Blerand Bekteshi theksoi nevojën e mbështetjes së shtetit për studentët që të kryejnë punë sezonale gjatë pushimeve verore në mënyrë që të kenë mundësi të financojnë studimet e tyre dhe të profesionalizohen në fushën që kryejnë studimet, transmeton lajmi.net.

“Neve si studentë na mungon puna e bursave. Pra nuk ka bursa. Na mungon që praktikën nuk mundemi me e kry në Universitet. Kur vjen koha e pushimeve verore ne nuk kemi mundësi me punu sepse nuk ka fabrika, nuk ka kompani private, nuk ka mbështetje prej shtetit për kompanitë private. Unë si student i fakultetit të shkencave kompjuterike duhet me shku me punu me vllaun tim në ndërtimtari atje, me grumbullua para verës dhe me i pagua shpenzimet e studimeve që shkoj në fakultet”, tha Bekteshi.

Ndërsa studentja Vjollca Buzhala kërkoi që institucionet qendrore të investojnë më shumë në hapësirat për aktivitete sportive e kulturore, si dhe në turizëm.

“Duhet të ketë më shumë hapësira për aktivitete sportive, letrare dhe kulturore në vendin tonë, më saktësisht në Prizren. Nëse isha pyetur unë se çfarë zgjidhje kam për këtë problem ose realizimin e këtij propozimi, atëherë kisha thënë që me u nda më shumë buxhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në drejtoritë përkatëse”, tha Buzhala.

Pasi dëgjoi idetë dhe sugjerimet e të rinjve, kryetari Veseli tha se një arsimim cilësor për të rinjtë, është faktori kyç për një ekonomi të zhvilluar që gjeneron vende pune dhe konkurrencë të denjë.

“Një nga segmentet kryesore kur bisedojmë në turin e dëgjimeve është sektori i arsimit. Derisa e kemi një situatë në të cilën kompanitë ankohen për mungesë të fuqisë profesionale, në të njëjtën kohë edhe nxënësit ankohen se nuk kanë mundësi dhe ta tregojnë aftësinë ose të marrin aftësi që të jenë të përgatitur për tregun e punës. Janë të gjitha këto që po vejnë në pah të metat tona si shoqëri të cilat politika duhet t’i rregulloj dhe ka obligim”, ka thënë kryetari Veseli. /Lajmi.net/