Ferizaj.28.11.2016. Të hënë në Ferizaj, në ditën e flamurit shqiptar është vendosur gurthemeli për shtatoren e heroit të kombit Ahmet Kaçikun.
Në këtë manifestim merrnin pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, deputete të Kuvendit të Kosovës, drejtues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të partive politike dhe shumë mysafirë të tjerë.
Me këtë rast kryetar i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa para të pranishmëve ka theksuar se në ditën më të madhe të kombit shqiptar, në Ditën e Flamurit Kombëtar, po na jepet rasti që edhe një herë ta nderojmë veprimtarinë atdhetare, heroizmin dhe sakrificën sublime të heroit Ahmet Kaçiku.
“Ne sot po bëjmë përpjekje që edhe me anë të kësaj përmendoreje, të ngulisim kujtesën kolektive për flijimet e panumërta që u bënë për lirinë e vendit tonë. Ne sot jemi krenarë që kemi pasur burra si Ahmet Kaçiku, të cilët me veprën dhe me jetën e tyre, vunë gurin themeltar të pavarësisë, të lirisë e demokracisë. Në këtë hapësirë tashmë janë ngritur lapidarë e përmendore për dëshmorët, si rrallëkund tjetër. Kjo është dëshmi e qartë e përkushtimit të ferizajasve, për të çmuar, valorizuar e forcuar vlerat e luftës, të sakrificës e të përkushtimit për liri e pavarësi, për dinjitet dhe të drejta kombëtare e njerëzore”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se në këtë ditë të madhe të kombit shqiptar, na jepet rasti që edhe një herë të kujtojmë gjithë vuajtjet dhe flijimet e panumërta që janë bërë në emër të atdheut tonë të lirë e të pavarur.
“Ne duhet të jemi të lumtur që këto flijime nuk shkuan kot, sepse sot kemi mundësinë si asnjëherë më parë në historinë tonë, t’i ndërtojmë jetët tona, pa frikën se dikush do të na ndjek, do të na keqtrajtojë, apo do të na përçmojë, për shkak të përkatësisë sonë të çfarëdo lloji. Ne, më shumë se kushdo tjetër, e kemi provuar se sa shumëdimensionale janë vlerat e lirisë dhe sa të çmuara janë ato. Prandaj, le t’i vlerësojmë dhe le t’i kemi ndërmend sa më shpesh, në mënyrë që t’u japim më shumë kuptim atyre vlerave. Ne do t’u japim kuptim vlerave të lirisë, kur ta kemi konsoliduar shtetin ligjor, kur t’u mundësojmë të gjithë banorëve të drejta të barabarta, kur të kemi mundësi t’i mbështesim synimet e qytetarëve për krijimin e mirëqenies më të lartë, kur të krijojmë kushte që banorët e vendit tonë të kenë kujdes të shtuar shëndetësor, kur të bëjmë të mundur që fëmijët dhe të rinjtë tanë të marrin shkollim cilësor në shkallën që e kanë moshatarët e tyre në vendet e zhvilluara. Ne jemi nisur në këtë rrugë dhe po ecim çdo ditë drejt këtyre synimeve. Natyrisht që rruga jonë drejt zhvillimit dhe përparimit me kutin evropian, nuk është e lehtë, për shkak të trashëgimisë dhe kontekstit ku jetojmë e veprojmë, por përpjekjet nuk mungojnë. Po përpiqemi që me punën tonë, me këmbënguljen dhe përkushtimin e vazhdueshëm, t’i zbatojmë detyrat që kemi marrë përsipër, të bindur se kur të gjithë ne t’i zbatojnë me përgjegjësi, vullnet e angazhim obligimet tona, atëherë mund të themi se po ecim sigurt drejt synimeve, për të cilat u bënë kaq shumë sakrifica”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe ish komandanti i zonës operative të Nerodimes Shukri Buja si dhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës Gafurr Bytyqi.
Ndërkaq në emër të familjes së heroit Ahmet Kaçiku, të pranishmit i ka përshëndetur e bija e dëshmorit Festina Kaçiku, si dhe nëna e dëshmorit Velime Kaçiku. Ato janë shprehur mirënjohëse të gjithë atyre që kontribuuan për ndërtimin e shtatores së heroit të Kosovës Ahmet Kaciku.
Heroi Ahmet Kaçiku ra për të mos vdekur kurrë në janar të vitit 1998 në fshatin Reçak.