Ferizaj

Vendoset gurthemeli për ndërtimin e shtatores për katër martirët e fshatin Nerodime e Epërme

By FerizajPress

March 24, 2017

Në fshatin Nerodime e Epërme, të premten është vendosur gurthemeli për martirët e kësaj ane Osman, Brahim, Bajram e Agron Nuhaj. Ne këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtore, familjarë të martirëve, drejtues të organizatave të dala nga lufta si dhe shumë mysafire të tjerë. I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në këtë manifestim është shprehur se sot, për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, kujtojmë me nderim të veçantë ditën e madhe kur mori krahë bindja se nuk ishim të harruar as të lënë vetëm, në përpjekjet tona shumë të gjata e të vuajtura për liri e pavarësi. “Si sot tetëmbëdhjetë vite më parë, regjimi që na shtypte e na vriste mizorisht, mori goditjet e para, duke u trandur me themel. Çdo goditje ndaj tij, ishte një rreze shprese për ne. Ne që kemi qenë dëshmitarë të asaj kohe, e kemi parë se si sot e tetëmbëdhjetë vite më parë, bisha e plagosur do të shkaktonte kalvarin e paparë të popullatës civile të Kosovës, me përmasa biblike, duke u hakmarrë ndaj njerëzve të pafajshëm. Dëshmi e hakmarrjes së paskrupullt, janë edhe këta martirë të Nerodimes së Epërme. Ata dhe shokët e tyre që ranë përpara dhe pas tyre, na tregojnë për çmimin e lartë të lirisë e të pavarësisë, të cilin e ka paguar ky popull e ky vend. Ndaj, sot, ndihemi krenarë që me këtë përmendore që do të ngritet për ta, do të përjetësohet emri i tyre.Sot është dita të kujtojmë që 18 vite më parë, po niste një fazë e re dhe dramatike në jetën e popullit tonë: faza kulmore dhe përfundimtare e luftës që do të çonte drejt çlirimit”, ka thënë kryetari Svarqa. Ai tutje të prani

shmëve ju ka thënë se kanë qenë kohë të trishta, të cilave sot u kthehemi për të ndarë me të gjithë qytetarët e Ferizajt ndjenjën e papërsëritshme të lirisë, për t’u shprehur mirënjohjen e pafund të gjitha vendeve që i dolën përballë dhe e mundën të keqen, së bashku me ne.

“Sot është dita që edhe një herë të falënderojmë vendet e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për atë që bënë për ne qe 18 vite e këndej, duke i dhënë fund vrasjeve e shfarosjes që po bëheshin ndaj nesh dhe duke ndihmuar formimin dhe konsolidimin e jetës së re në liri e pavarësi. Ne jemi të vetëdijshëm se pa mbështetjen e vendeve të NATO-s, të prira nga Shtetet e Bashkuara, historia jonë më e re do të bëhej shumë më tragjike se sa që ishte. Rrugëtimi dhe suksesi ynë i përbashkët prej gati dy dekadash, është i pandashëm besojmë thellë se i tillë do të jetë edhe në të ardhmen”, ka përfunduar kryetar Svarqa. Të pranishmit në emër të familjes i ka përshëndetur Ali Nuha.