Këtë të enjte është mbajtur mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit të Komunës. Me këtë rast Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, para anëtareve të kuvendit ka paraqitur edhe të gjitha pikat e rendit të ditës që ishin propozuar për këtë mbledhje. Në këtë mbledhje i pranishëm ishte nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, nënkryetari nga radhët e komunitetit Florim Bajrami si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Ne këtë mbledhje Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyqi, ka propozuar një deklaratë shtatë pikëshe për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Konfirmojmë qëndrimin tonë dhe bindjen e paluhatshme se lufta mbrojtëse e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ishte luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë në Kosovë. Vlerësojmë të paprecedent veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pakonfirmuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli. Ritheksojmë se lufta mbrojtëse e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përherë e tillë. Ajo nuk mund të njolloset asnjëherë. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta çmojë lart bashkëpunimin e institucioneve kosovare dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare përgjatë këtyre njëzet vjetëve, përfshirë Dhomat e Specializuara. Në gjithë këto procese është dëshmuar pastërtia e luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi” janë këto një pjesë e pikave të deklaratës së sotme që propozoi Kryesusja Gashi-Bytyqi.
Këtë deklarate e kanë përkrahur të gjitha grupet parlamentare të këtij Kuvendi, ndërsa është theksuar se kjo deklaratë është njëra ndër deklaratat më të mira që ka bërë ky kuvend. Diskutim i gjatë u bë edhe pas informatës që dha drejtori i Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjani në lidhje me një informatë për zhvillimin e mësimit në distancë gjatë kohës së pandemisë.
Ndërkaq drejtorja e Administratës së Përgjithshme Aurora Ramadani, ka propozuar që të del në diskutim publik Draft Kodi i Etikës si dhe vënia në diskutim publik e Draft Rregullores për Organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Ferizajt, ku të dyja këto propozime morrën edhe aprovimin e antarëve të kuvendit. Në këtë mbledhje të Kuvendit të Komunës drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrave kadastrale 614-0, 621-0 dhe 622-1 Z.K Sojevë, propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrave kadastrale 1678-0, 1839-0 dhe 1840-0 Z.K Mirosalë, propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastrale 2595-0 zonën kadastrale në fshatin Greme. Poashtu u drejtori Murseli, ka bërë edhe propozim-vendimin për ndarjen e pjesës së ngastrës kadastrale 2529-0 në zonën kadastrale në fshatin Mirash si dhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave dhe pjesëve të ngastrave kadastrale; 2254-0, 2518-0, 2520-0, 2523-0, 2641-0, 2642-0, 2647-0, 2643-0, 70-0, 67-0, 72-0, 71-0, 2062-2 dhe 2069-0 zonën kadastrale në Jezerc, të gjitha këto pika të rendit të ditës kanë marr dritën jeshile dhe janë aprovuar.