Në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, kryetarin Muharrem Svarqa dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara “Handicap”, bëri hapjen e biznesit për ambalazhimin e sheqerit, ku, në linjën e ambalazhimit dhe shpërndarjes të këtij biznesi do të punësohen disa persona me aftësi të kufizuara.
Siç thuhet në komunikatë, me këtë rast, ministri Abrashi dhe kryetari Svarqa, u premtuan udhëheqësve të realizimit të këtij projekti, që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Ferizajt do të vazhdojnë përkrahjen edhe në aspektin e operimit të këtij biznesi social.
Abrashi ka ritheksuar se orientimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës vazhdon të jetë ndërmarrja e të gjitha hapave që sigurojnë rritje të mirëqenies sociale, veçmas të personave në gjendje vulnerabël.
Kryetari i shoqatës, Ylber Selmani, falënderoi ministrin Abrashi dhe kryetarin Svarqa, për përkrahjen e pa rezervë në realizimin e këtij projekti.