Lajme

Vëllai i Armelës së vrarë: Ndërpritni dhurimin e parave, na duhet ndihma juaj morale!

By FerizajPress

July 24, 2016

Familjarët kanë mbyllur konton dhe nuk pranojnë kurrfarë ndihmash financiare. Vëllai i Armelës, Arbnor Segashi ka shkruar në facebook: “Ju lus të gjithëve që t`i injoroni thirrjet për ndihma në para. Falënderoj veç e veç secilin që ka dhënë ndihmë ose që ka dashur të ndihmojë. Një pjesë e madhe e parave të grumbulluara do të shkojë për fëmijët në nevojë…”

Dy ditë pas tragjedisë së rëndë në Munih, në të cilën humbën jetën 9 veta dhe shkaktari i tragjedisë, mediat gjermane korrigjojnë numrin e të plagosurve. Nga 27 sa mendohej, tashmë janë 35 persona që kanë pësuar plagë në këtë atentat, shkruan tz.de. Tre prej tyre kanë marrë plagë më të rënda dhe janë ende në rrezik jete. Bëhet e ditur se përveç atyre që kanë marrë plagë nga plumbat e atentatorit, disa të tjerë janë lënduar edhe në përpjekje për të ikur, në panik e sipër, përcjell albinfo.ch.

Tri familje shqiptare nga Kosova kanë humbur tre fëmijë të tyre. Siç është njoftuar tashmë edhe në albinfo.ch, fjala është për vajzën 14 vjeçare Armela Segashi, për Diamant Zabërgjën 21 vjeçar dhe Sabina Sulaj.

Mediat gjermane kanë njoftuar dje se familja e Armelës kishte kërkuar ndihma për të mundësuar transportin e kufomës në Kosovë. Kryqi i Kuq i Munihut mbledh ndihma me këtë dedikim, shkruan tz.de.

Por ndërkohë bëhet e ditur se familjarët kanë mbyllur konton dhe nuk pranojnë kurrfarë ndihmash financiare. Vëllai i Armelës, Arbnor Segashi ka shkruar në facebook: “Ju lus të gjithëve që t`i injoroni thirrjet për ndihma në para. Falënderoj veç e veç secilin që ka dhënë ndihmë ose që ka dashur të ndihmojë. Një pjesë e madhe e parave të grumbulluara do të shkojë për fëmijët në nevojë. Ju lutem ndërpritni dhënien e parave. Ne i kemi mundësitë për të transportuar motrën tonë dhe për ta varrosur atë në vendlindje. Unë e di se ju dëshironi të ndihmoni dhe të na e lehtësoni gjendjen, por as paratë e gjithë botës nuk na ndihmojnë më. Ne na duheni JU! Bashkëndjenja dhe forca e juaj”.