Lajme

Veliu: Demarkacioni nuk lidhet me zgjedhjet

By FerizajPress

March 01, 2017

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka bërë me dije se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe nëse Kuvendi nuk e ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në një intervistë për ‘Epokën e Re’, ai ka thënë se funksionimi apo prishja e koalicionit qeverisës si dhe mbajtja e zgjedhjeve nuk kanë të lidhura me çështjen e demarkacionit.

Ai i ka sugjeruar Qeverisë ta procedojë për në Kuvend ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por ka thënë se vendimi final mbetet në duart e deputetëve.

Veliu ka theksuar se deputetët votojnë sipas vullnetit të tyre dhe askush nuk është duke u bërë presion lidhur me çështjen e demarkacionit.

Ai ka vlerësuar se opozita ka dështuar në kauzën e saj dhe e ka bërë përgjegjëse kryesore për izolimin e Kosovës.