Lajme

Vdekja e McCain, mesazhet e politikës shqiptare

By FerizajPress

August 26, 2018

Në një postim në Facebook, presidenti Ilir Meta theksoi se “shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm”. Zoti Meta vuri në dukje se “senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës”, shkruajti presidenti shqiptar.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama vlerësoi se senatori amerikan “e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qenien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin kemi bashkëpunuar e ndarë mendime të njëjta”, shkruajti zoti Rama duke mbyllur postimin e tij me një falenderim për gjithshka senatori ka bërë.

Për kryetarin e parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi, John McCain ishte “hero i Amerikës, komandant legjendar dhe senator vizonar. Ishte mik i madh e i sinqertë i Shqipërisë, i përkushtuar për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe multietnike”.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha i mëshoi gjithashtu faktit se “me ndarjen nga kjo jetë të Senatorit John McCain, kombi shqiptar humbi një mik të madh. Luftëtar i pamposhtur për kauzën e lirisë, Senatori McCain ishte një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik”, nënvizoi zoti Basha.