Trupit të Erona Bajramit, 16-vjeçares që vdiq të hënën në Reçak pasi u largua nga shkolla, i është bërë autopsia. Rezultatet tregojnë se ajo ka rënë nga një ndërtesë, por ende nuk dihet nëse ka kërcyer vetë apo e ka hedhur dikush. Komandanti i Policisë në Ferizaj Basri Shabani ka thënë se hetimet për rastin vazhdojnë. Por, ky rast tragjik po bëhet më i komplikuar. Gazeta Express ka siguruar një të dhënë interesante që lidhet me vdekjen e vajzës. Kur drejtoria e shkollës e ka thirrur në telefon, është lajmëruar një grua e cila menjëherë e ka ndërprerë thirrjen.
U gjet e vdekur pranë një objekti privat, një ndërtesë, në komunën e Shtimes. Erona Bajrami, 16-vjeçare nga fshati Reçak i kësaj komunë në mbrëmjen e 19 marsit mendohet se ka rënë nga kati i një ndërtese në qytetin e Shtimes. Policia për këtë rast po i vazhdon hetimet. Ndërkaq raporti i autopsisë tregon se e mitura ka rënë nga ndërtesa.
Ditën e hënë rreth orës 19:00, Erona Bajrami, 16-vjeçe, u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore pranë një objekti banesor i cili ishte në ndërtim e sipër në rrethinë të Shtimes. Trupin e Eronës në skajin e ndërtesës e gjeti një punonjës i sigurimit në atë zonë. Punonjësi, Rizah Islami, i vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje, thotë se menjëherë e kishte lajmëruar policinë. Kjo e fundit bashkë me ekipet e emergjencës e kishin dërguar, ende me puls, Eronën në qendrën e mjekësisë në Ferizaj.
Por, 16-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetojë rënies. Ajo ndërroi jetë në spitalin e Ferizajt.
Në bazë të rezultateve, konstatohet se e reja nga Reçaku i Shtimes kishte rënë nga kati i ndërtesës. Si pasojë e rënies asaj i janë shkaktuar dëmtime të rënda trupore. Kështu i ka thënë Gazetës Express, komandanti i policisë në rajonin e Ferizajt Basri Shabani.
“Autopsia e vërteton se vajza ka rënë nga lartësia si dhe dëmtimet në trupin e saj janë shkaktuar nga hedhja. Për rrethanat se si ka rënë nuk tregohen. Hetuesit janë ende në fazën e grumbullimit të informatave për këtë çështje që të zbulohet shkaku i vdekjes se si ka ardhur deri këtu. Bazuar në të dhënat për dëmtimet në trupin e pajetë dëshmohet se ajo ka rënë nga lartësia”, ka thënë Shabani për Express.
Ai ka shpjeguar se raporti i autopsisë flet për lëndimet në këmbë, pjesën e poshtme të trupit si dhe gjakderdhje të brendshme.
“Vajza ka pasur dëmtime në këmbë, pjesën e poshtme të trupit. Po ashtu konstatohet se ka pasur dëmtime të brendshme të mushkërive”, ka deklaruar komandanti i policisë së Ferizajt.
Ai thotë se nuk dihen motivet se përse e reja nga Reçaku ka rënë nga ndërtesa dhe shton se hetimet po vazhdojnë.
Por vdekja e kësaj vajzë po vazhdon të mbetet misterioze. Gazeta Express pasditen e së martës ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Babai i saj thotë se nuk i di arsyet e vdekjes së vajzës.
Gazeta Express ka zbuluar një detaj interesant lidhur me rastin tragjik: në ditën kritike zyrtarë nga drejtoria e Shkollës së mesme ‘Naim Frashëri, rreth orës 19:00 të mbrëmjes së 19 marsit, e kanë thirrur në telefon viktimën. Por, në numrin e saj është lajmëruar një zë gruaje, e cila nuk kishte qenë e ndjera dhe menjëherë e ka ndërprerë komunikimin me drejtorinë e shkollës.
“Bazuar në shënimet e zv. Drejtoreshës, nxënësja del të jetë larguar nga shkolla në ora 3 për të bërë një telefonatë dhe më nuk është kthyer në klasë….. Zv.drejtoresha e ka thirrë nr të telefonit…., në të cilën, sipas shënimeve, është lajmëruar një grua (rreth orës 19:00), e cila e ka ndërprerë komunikimin. (telefonata është bërë nga fiksi i shkollës…)”, thuhet në dokumentin e shkollës ‘Naim Frashëri’ të Shtimes të cilin e ka siguruar Express. Megjithëkëtë, dëshmitari i cili e kishte gjetur Eronën, roja i objektit banesor, Rizah Islami, ka thënë se vajzën e ka gjetur të shtrirë dhe me shenja jete në oborrin e objektit rreth orës 19:30 të mbrëmjes së kobshme. Ai e thotë një detaj tjetër – shpjegon se pantallonat e së ndjerës kishin qenë të shqyera në pjesën e poshtme të trupit.
“Unë kam qenë në barakë. E pashë një dritë në banesë lart. Kur kam dalë unë drita është ndalur. Tu qëndru te barakat e kam ndi një krismë. Kur dola e pashë atë femrën në qosh të banesës. Kur dola e pashë që dëneste. Me prek nuk e kam prekë, e kam thirrë policinë. Pastaj ka ardhë ndihma e shpejtë dhe e ka marrë. Vajza, sa kam pa unë, nuk ka pas gjak në fytyrë, ka pas shkumë në gojë. Vajzën e kanë marrë e kanë vendos në ambulancë, e kam pa se ajo çika i kish pas farmerkat e shqyera. Policia e kanë shiku krejt objektin. Nuk kanë gjet asgjë hiç”, ka thënë roja i objektit ku u gjet tash e ndjera Erona Bajrami.
Për këtë punë, organet e hetuesisë në vend po i vazhdojnë hetimet./GazetaExpress/