Lajme

Vazhdon heshtja për vrasësit e vëllezërve Bytyqi

By FerizajPress

July 10, 2016

Autoritetet e Beogradit deri tani nuk kanë arritur t’i bindin dëshmitarët e trembur të dëshmojnë se kush i vrau tre vëllezërit shqiptaro-amerikanë pasi ata u ndaluan nga policia serbe në vitin 1999.

Vaxhid Minushi, një rom nga Kosova, kishte shpresuar se 26 qershori 1999 do të ishte dita e fundit e përballjes me dhunën në vendin e tij.

Atë ditë, ai i kërkoi Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit, fqinjëve të tij në qytetin e Prizrenit në Kosovë, ta çonin me makinë atë dhe familjen e tij në Serbi, ku ai kishte të afërm, për t’i shpëtuar trazirave që kishin vazhduar pas përfundimit të konfliktit në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi, qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare që kishin udhëtuar drejt Kosovës për të mbështetur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, pranuan ta ndihmonin të shkonte në kufirin me Serbinë, sepse ishte ende e pasigurt që civilët të lëviznin rrotull.

“Në mënyrë aksidentale kaluam kufirin dhe disa njerëz, mendoj se policia, na ndaluan”, tha Minushi në Gjykatën e Lartë të Beogradit në vitin 2007.

Kjo ishte hera e fundit që Minushi i pa tre fqinjët e tij amerikanë.

Trupat e vëllezërve Bytyqi u gjetën tre vjet më vonë në një varr masiv rreth 400 kilometra nga kufiri, në një qendër stërvitore të policisë serbe në Petrovo Selo. Ata u vranë më 9 korrik 1999 – plot 17 vjet më parë.

Në një raport të hetuesve që BIRN e ka parë, një dëshmitar akuzon ish-kreun e Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme, Vlastimir Gjorgjeviq, dhe komandantin e qendrës stërvitore në Petrovo Selo, Goran “Guri” Radosavleviq, se ishin ata që urdhëruan vrasjet – edhe pse të dy këta persona e kanë mohuar këtë.

Askush nuk është ndjekur penalisht në mënyrë të suksesshme për vrasjet.

Gjykatat serbe u përpoqën të ndiqnin penalisht dy ish-oficerët e policisë për vrasjen e vëllezërve, por gjyqi përfundoi me lirimin e tyre nga akuzat në vitin 2013.

Ndërkohë, prokurorët dhe Qeveria serbe i janë zotuar disa herë familjes së vëllezërve të vrarë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara se ata do të gjejnë personat që vranë Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin, si edhe ata që urdhëruan vrasjet e tyre.

Pavarësisht këtyre premtimeve, 17 vjet pas vdekjes së tyre, autoritetet serbe nuk i kanë bërë dot dëshmitarët të flasin – kryesisht sepse ata që janë të përfshirë në vrasje ishin ose janë ende njerëz shumë të pushtetshëm në forcat e policisë ose shërbimet e sigurisë.

Ata që vendosën të flasin ose janë kërcënuar ose u është mbyllur goja dhe shumë dëshmitarë të tjerë i kanë ndryshuar dëshmitë e tyre.

Shpresat e Prokurorisë serbe tani janë te dy dëshmitarë të mundshëm, që të dy ish-zyrtarë të lartë që tashmë vuajnë dënime për krime lufte dhe vrasje politike.

Njëri prej tyre është Gjorgjeviq, ish-shefi i Departamentit të Sigurisë Publike, i cili u dënua me 18 vjet burg për krime lufte.

Tjetri është Milorad Ulemek, i njohur gjithashtu si Legija, ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme, i cili u dënua me 40 vjet burg për vrasje të ndryshme politike, përfshirë edhe vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe kryeministrit Zoran Gjingjiq.

Burime nga brenda ekipit hetues thanë për BIRN se ata i kishin marrë paraprakisht në pyetje të dy burrat, por nuk janë arritur ende marrëveshje përfundimtare rreth dëshmive të tyre.

Burimet thanë gjithashtu se ata janë përballur me një mur heshtjeje me dëshmitarët e tjerë dhe se prokurorët do të jenë në gjendje të nisin një padi të re vetëm nëse figura të profilit të lartë si Gjorgjerviq ose Ulemek pranojnë të dëshmojnë. Historia për të cilën të gjithë janë dakord

Gjorgjeviq dhe Ulemek dëshmuan në gjyqin e ish-punonjësve të policisë në vitin 2008 dhe 2009, por nuk dhanë ndonjë informacion në lidhje me këtë çështje, duke mohuar çdo përfshirje.

Megjithatë, dëshmitarë të tjerë që dëshmuan gjatë gjyqit i lidhën të dy burrat me ngjarjet që ndodhën në korrik të vitit 1999 në qendrën e trajnimit të policisë në Petrovo Selo.

Shumica e dëshmitarëve në gjyq ishin ose anëtarë të Njësisë së Operacioneve Speciale, JSO, ose të Njësisë Speciale të Policisë, PJP, të dyja këto njësi të njohura për brutalitetin e tyre, sidomos gjatë luftës në Kosovë. Anëtarët e të dy njësive janë dënuar për vrasje dhe krime lufte.

Në korrik të vitit 1999, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes e paqes në Kosovë, gjashtë komandantë nga JSO mbajtën sesione të ndryshme trajnimi për oficerët e Policisë Speciale në Petrovo Selo.

Një nga trajnerët ishte Sreten Popoviq. Popoviq dhe vartësi i tij Milosh Stojanoviq ishin dy oficerë që u liruan nga akuzat në vitin 2013 për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Vëllezërit u arrestuan më 26 qershor 1999 në pikën kufitare të Merdares, sepse nuk kishin dokumentet e nevojshme serbe. Ata u transferuan në burgun në Prokuple, ku supozohet se kaluan 15 ditë, por u liruan për sjellje të mirë.

Më 8 korrik, dy makina erdhën dhe i morën. Dokumentet e gjykatës tregojnë se makinat ishin ato të punonjësve të Policisë në Petrovo Selo, por identitetet e shoferëve nuk u treguan.

Popoviq dhe Stojanoviq nuk e mohojnë se ishin përgjegjës për transferimin e vëllezërve nga burgu në Prokuple në qendrën stërvitore të Policisë në Petrovo Selo, por këmbëngulin se ata nuk ishin përgjegjës për vdekjet e tyre.

Vëllezërit u mbajtën në një kazermë në qendrën stërvitore të Policisë, ku qëndruan deri në mbrëmjen e 9 korrikut.

Trupat e tyre u gjetën në varre masive rreth 500 metra nga kazermat në vitin 2001, në një gropë bashkë me eshtrat e 50 shqiptarëve të Kosovës.

Trupat e vëllezërve ishin sipër dhe sipas ekspertëve mjekësorë që dëshmuan në gjyqin e Popoviq dhe Stojanoviq, pozicionet e trupave të tyre tregonin se duart e tyre ishin të lidhura dhe se ata ishin qëlluar pas shpine, direkt në gropë. Policët misteriozë

Sreten Popoviq ishte në qendrën e trajnimit në Petrovo Selo më 7 korrik 1999 duke u përgatitur për një grumbull të ri punonjësish policie që do të mbërrinin aty, kur mori një telefonatë. Sipas Popoviq, në linjën tjetër ishte shefi i Departamentit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjorgjeviq, që po i telefononte nga Beogradi.

“Ai më pyeti nëse Goran Radosavleviq (komandanti i qendrës stërvitore në Petrovo Selo) ishte aty. I thashë se ai ishte me pushime dhe aty isha unë”, tha Popoviq në Gjykatë.

Popoviq tha se Gjorgjeviç i tha atij: “Shiko, Pop, gjej tre burra që do të shkojnë në Prokuple nesër, pasi duhet të sigurohemi që disa persona të transferohen tek ju në Petrovo Sello, ku ju do t’i mbani derisa disa kolegë të tjerë të vijnë t’i marrin.”

Dhe, sipas Popoviq, çdo gjë shkoi siç ishte planifikuar dhe policët sollën tre vëllezërit siç ishte rënë dakord.

Më pas, më 8 korrik 1999, Gjorgjeviq telefonoi përsëri dhe tha: “Mos ndoshta ka telefonuar Guri?” Popoviq u përgjigj jo dhe pastaj Gjorgjeviq vazhdoi: “Nesër do të vijnë disa persona të marrin vëllezërit”.

Të nesërmen, në mbrëmjen e vrasjes, Popoviq u thirr nga rojet e Petrovo Selos midis orës 22:00 dhe mesnatës sepse dikush e kërkonte te porta e kampit.

“Pashë tre persona. Ata më thanë se ishin policë nga Beogradi dhe se kishin ardhur të merrnin tre persona”, tha Popoviq në Gjykatë.

Ai pa vëllezërit të merreshin dhe makina u nis drejt Beogradit, por pretendoi se për vrasjet e mori vesh vetëm nga televizori dy vjet më vonë.

Kjo histori është konfirmuar nga Gjorgjeviq, Radosavleviq, i pandehuri tjetër Milosh Stojanoviq dhe të paktën 10 ish-anëtarë të JSO-së dhe PJP-së që u paraqitën si dëshmitarë.

Disa prej tyre thanë se e dinin që vëllezërit mbaheshin në qendrën e trajnimit, disa jo, por të gjithë kishin dëgjuar se ata ishin marrë nga disa oficerë policie dhe se nuk e dinin se kush ishin këta oficerë policie. Kush i mori vëllezërit?

Gjatë 17 viteve të fundit, hetuesit serbë janë përpjekur të zbulojnë se kush i mori vëllezërit nga hyrja e kampit, nëse janë marrë vërtet që aty.

Ajo që i shqetësoi shumë hetuesit që në fillim është fakti se nuk kishte asnjë dokumentacion që tregonte se kush e vizitoi kampin atë mbrëmje.

Rojat duhet të kishin mbajtur shënime për ardhjet dhe ikjet nga kampi dhe komandantët ishin gjithashtu të detyruar të mbanin shënim lëvizjet e tyre.

Por edhe pse komandantët në Petrovo Selo mbajtën shënim se çfarë ushqimi porositën dhe çfarë shpenzimesh bënë, ata nuk e mbajtën shënim ardhjen e vëllezërve dhe dorëzimin më pas të tyre.

Sipas Gjorgjeviq, i vetmi person që mund ta dijë se kush i mori vëllezërit tani ka vdekur.

Në dëshminë e tij në Gjykatën e Beogradit në vitin 2009, Gjorgjeviq tha se i gjithë operacioni ishte urdhëruar nga ministri i Brendshëm, Vlajko Stojilkoviq, i cili vrau veten para Parlamentit serb në vitin 2002.

Gjorgjeviq tha se vëllezërit ishin marrë nga kampi nga njerëz që i njihte vetëm Stojilkoviqi. Ai gjithashtu nuk e dinte pse nuk ishin mbajtur shënime.

Dëshmitarë të tjerë, oficerë policie që u shprehën se i kanë parë këta oficerë duke marrë tre vëllezërit, nuk mund t’i përshkruanin dhe s’ua mbanin mend fytyrat, duke u shprehur se ishte shumë errësirë.

Arma e vrasjes

Përveç faktit që nuk ka atë dhëna për ardhjet dhe ikjet në Petrovo Selo, hetuesit me të cilët foli BIRN thanë se për ata, gjëja më e vështirë për të besuar ishte se vëllezërit Bytyqi mund të jenë vrarë aq pranë kampit dhe se asnjë s’e ka dëgjuar apo vënë re këtë.

Ekspertët ligjorë arritën të gjenin një plumb të kalibrit 9mm në kokën e njërit prej vëllezërve. Sipas hetuesve, balistika identifikoi llojin e armës të përdorur për vrasjet. Ajo është Heckler & Koch gjysmë automatike. Në një dokument diplomatik nga viti 2006 që u bë publik nga WikiLeaks, u raportua që një gjyqtar hetues serb tha se kjo ishte “një armë shumë e rrallë dhe se ai po përpiqet të gjurmojnë nga policia e Ministrisë së Brendshme se cilat njësi e përdornin këtë armë në atë kohë”. Më vonë u përcaktua se arma përdorej nga anëtarë të JSO-së.

Por pronari i armës nuk është identifikuar ende dhe vitin e kaluar ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, pranoi se “provat balistike nuk ishin bërë si duhej”.

“E gjetëm atë armë dhe po zhvillohet një ekzaminim i ri,” tha Stefanoviq, por detajet e rezultatit të ekzaminimit janë ende të panjohura.

Kjo i bëri hetuesit të besonin se një ose më shumë nga gjashtë trajnuesit JSO që ishin në kamp në atë kohë ishin të përfshirë në vrasje.

Dyshimet e tyre më vonë u konfirmuan nga një dëshmitar që ishte në kamp dhe që u shpreh se e dinte kush ishte përgjegjës.

Në dokumentin e marrjes në pyetje të dëshmitarit, të cilin BIRN e ka parë, ai pretendon se urdhrat për vrasjen u dhanë nga Gjorgjeviq dhe Radosavleviq.

“Shkova me Gurin te kazermat dhe i pashë të tre vëllezërit pas hekurave,” citohet në dokument të ketë thënë dëshmitari.

“Guri po fliste në telefon me gjeneralin Gjorgjeviq. Biseda nuk zgjati shumë dhe ai u kthye nga Popoviq dhe tha: “Hiqi qafe!” Popoviq pyeti se ku dhe ai u përgjigj: “Ose në Danub ose në kodrën në Petrovo Selo,” tha dëshmitari.

Prokurorët serbë nuk arritën ta bindnin dëshmitarin se do të ishte më i sigurt nëse dëshmonte në gjyqin e Popoviqit dhe vartësit të tij Stojanoviqit.

BIRN është në dijeni të identitetit të dëshmitarit, por ai s’iu përgjigj kërkesave për një koment.

Të gjithë trajnerët e JSO u paraqitën në gjyq si dëshmitarë dhe të gjithë mohuan të kenë qenë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve.

Radosavleviq gjithashtu e ka mohuar disa herë me radhë përfshirjen e tij në vrasje.

Kush i urdhëroi vrasjet?

Hetuesit e patën shumë më të lehtë të gjurmonin zinxhirin e përgjegjësisë.

Personi që urdhëroi krimin, sipas shumë dëshmitarëve dhe prokurorëve, ishte ministri i Brendshëm Stojilkoviq, por ai nuk është më gjallë.

I dyti në komandë ishte Vlastimir Gjorgjeviq, i cili është në burg në Gjermani ku po kryen dënimin e tij për krime lufte në Kosovë. Dokumentet gjyqësore sugjerojnë gjithashtu se disa komandantë policie ishin pjesë e një zinxhiri komandues që kishte lidhje me vrasjet.

I pari në këtë zinxhir ishte Obrad Stefanoviq, komandant i PJP-së dhe ndihmësministër i Brendshëm.

Stefanoviq, tani një profesor në Akademinë e Policisë në Beograd, mohoi të ketë qenë i përfshirë në vrasje, edhe pse disa dëshmitarë pretendojnë se kanë marrë urdhra nga ai.

Stefanoviq këmbënguli se Radosavleviq ishte përgjegjës për atë që po ndodhte në qendrën stërvitore në Petrovo Selo në atë kohë.

Por Radosavleviq mohon të ketë qenë në kamp në kohën e vrasjes dhe disa pretendojnë se ai ishte me pushime dhe se mbërriti më vonë në kamp. Por disa dëshmitarë që morën pjesë në stërvitjen në kamp pretendojnë se e kanë parë atë në fillim të trajnimit.

Të tjerët pretenduan se Radosavleviq ishte i informuar për atë që po ndodhte. Sipas Popoviq, Radosavleviq erdhi në kamp vetëm disa herë në korrik.

“Ai më pyeti për të rejat në kamp. I thashë se tre persona ishin aty me urdhër të Rodjas (Gjorgjeviqi)”, tha Popoviq në gjykatë.

“Më tha: ‘E di, fola me Rodjan’”, shtoi Popoviq.

Sipas Popoviq, ai nuk i dha më shumë shpjegime, sepse mendoi se Radosavleviq ishte në dijeni të gjithçkaje, sepse ai ndante të njëjtën zyrë me Gjorgjeviqin.

Fakti që Gjorgjeviqi dhe Radosavleviqi ndanin të njëjtën zyrë ishte gjithashtu një e dhënë e rëndësishme për hetuesit e kësaj çështjeje, sepse kjo ngrinte dyshime mbi faktin pse Gjorgjeviq nuk ishte i informuar që Radosavleviq ishte me pushime dhe u përpoq të kontaktonte me të në telefon në Petrovo Selo, siç pretendoi Popoviq në dëshminë e tij.

Prokurorët kërkuan të dhëna për vendndodhjen e Radosavleviqit nga shërbimet serbe të inteligjencës, por përmbajtja e tyre nuk është bërë publike.

Personi i katërt kyç për prokurorinë është Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si Legija, komandant i JSO-së.

Sipas pothuajse të gjithë dëshmitarëve nga njësitë policore, Legija mbërriti me helikopter në Petrovo Selo në një pikë atë verë.

Besohej se ai pati një takim me Radosavleviqin, por ku dëshmoi në gjyq, Legija nuk pranoi të jepte informacione mbi gjithçka që ndodhi në Petrovo Selo. Sipas analistëve me të cilët BIRN ka folur në të kaluarën, Legija besohet se i qëndron besnik Gurit.

Por statusi i Legijas ka ndryshuar në mënyrë domethënëse, duke qenë se që nga viti 2014 e në vazhdim ai është bërë një dëshmitar bashkëpunues për Prokurorinë në disa çështje të tjera që kanë lidhje me operacionet e Policisë Speciale dhe vrasjet e kryera nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Që atëherë ai ka treguar se kush dha urdhra për disa nga vrasjet e kryera nga ish-kolegët e tij.

Por edhe pse Prokuroria këmbëngul se ai nuk ka asgjë në këmbim, burime të BIRN pranë hetimit shprehen se aktualisht ai po negocion dëshminë e tij për çështjen Bytyqi dhe të tjera.

Nëse Legija nuk pranon të dëshmojë, shpresa e fundit për prokurorët mbetet Gjorgjeviqi, i cili pret të marrë lirim të parakohshëm nga burgu në Gjermani në vitin 2019.

Personat e përfshirë në hetimin e çështjes Bytyqi pyesin veten nëse Gjorgjeviq do të zgjedhë të bëhet një dëshmitar apo do të rrezikojë të paraqitet në gjykatë si i pandehur.

Varre masive në Petrovo Selo

Dy varre masive me trupat e 80 shqiptarëve të Kosovës dhe tre vëllezërit Bytyqi u gjetën në vitin 2001 në kampin stërvitor policor në Petrovo Selo.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë ka dënuar disa zyrtarë serbë për përgjegjësi, përfshirë edhe ish-kreun e departamentit të sigurisë publike të ministrisë së brendshme, Vlastimir Gjorgjeviq, por gjykatat serbe deri më tani nuk kanë ngritur ndonjë padi për zhvendosjen e trupave nga Kosova në një përpjekje për të mbuluar krimin.

Gjorjjeviq dhe komandanti i asaj kohe në Petrovo Selo, Goran Radosavleviq u akuzuan nga ish-shefi i Sigurimit Serb të Shtetit, Radomir Markoviq, se kishin dhënë “ndihmë të madhe” në largimin e trupave të shqiptarëve të Kosovës.

Sipas disa dëshmitarëve, Radosavleviq ishte i pranishëm në pranverën e vitit 1999 kur trupat u sollën nga Kosova në Petrovo Selo dhe u varrosën në një gropë aty pranë.

Megjithatë, Radosavleviq mohoi të ketë marrë pjesë apo të jetë informuar për zhvendosjen e trupave.

“E mora vesh për këto ngjarje dhe u përpoqa të krijoja një ide të qartë disa kohë më pas, kur në një takim të Ministrisë së Brendshme zbulova se ishin gjetur trupa, varre masive, dhe se në krye të këtyre varreve masive, ishin gjetur trupat e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyqi”, tha ai në një gjykatë serbe në vitin 2008. /BIRN/