Ferizaj

Valon Ramadani zgjedhet kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj

By FerizajPress

July 01, 2018

Ferizaj.01.07.2018 . Gjatë ditës së sotme, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj mbajti zgjedhjet e brendshme për kryetar të Qendrës. Në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, demokratik ku të gjithë anëtarët e Lëvizjes nga komuna e Ferizajt kanë pasur të drejtën dhe mundësinë që përmes parimit “Një anëtarë një votë” të shprehin vullnetin e tyre për kryetarin e ardhshëm të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj. Në njëzetë vendvotime të hapura gjithandej komunës së Ferizajt, me një pjesëmarrje të madhe dhe në garë pozitive e bashkëpunimi, anëtarët e Lëvizjes kanë pasur mundësi të zgjedhin në mes të dy kandidatëve: Enver Bajramit dhe Valon Ramadanit. Ky proces zgjedhor dëshmoi edhe njëherë demokracinë e pashembullt në organizatën tonë, rolin dhe rëndësinë që ka aktivisti, sikurse që shfaqi entuziazmin e lartë në mesin e anëtarëve për zgjerimin dhe rritjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe në Ferizaj si kudo në Kosovë. Pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave, KZAQ, qendra në Ferizaj njofton të gjithë anëtarët e Lëvizjes dhe mbështetësit e saj, se kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, me shumicë votash u zgjodh Valon Ramadani. KZAQ vlerëson lartë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në të cilin u arritën standarde të reja të proceseve zgjedhore brenda organizatës. Falënderojmë të gjithë anëtarët e aktivistët për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre, por edhe kandidatët që me angazhimin e tyre dëshmuan përkushtim të madh prej aktivistësh që Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj të jetë edhe më e fuqishme në të ardhmen, thuhet në njoftimin lëshuar nga Vetëvendosje, Qendra në Ferizaj.