Ferizaj

Vala dhe Ipko rrisin çmimet për thirrje dhe mesazhe telefonike

By FerizajPress

November 20, 2019

Dy operatorët e vetëm në Kosovë të telefonisë mobile në Kosovë, Vala dhe Ipko kanë shtrenjtuar çmimet për thirrje dhe mesazhe telefonike, raporton Gazeta Sinjali.

Një sinjalizuese ka njoftuar për shpenzimet më të mëdha të saj gjatë thirrjeve telefonike, ndërsa pretendimet e saj janë konfirmuar edhe nga dy kompanitë në Kosovë.

Përderisa konsumatorët e Valës deri në muajin e kaluar kanë paguar 9 centë për çdo minutë për thirrje telefonike brenda të njëjtit operatorë, që nga fillimi i këtij muaji do të paguajnë 13 centë.

Ndërkohë për thirrje telefonike me operatorë të tjerë brenda Kosovës çdo minutë konsumatorëve të Valës do t’iu kushtojë 15 centë, dy centë më shtrenjtë sesa kishte qenë.

Edhe dërgimi i mesazheve është shtrenjtuar. Nga 2 centë sa ka qenë është bërë 6 centë.

“Prej 1 nëntorit janë shtrenjtuar çmimet, janë bërë 13 centë bisedat brenda Valës, ndërsa 15 centë janë bërë me operatorë të tjerë. 9 centë më herët kanë qenë thirrjet brenda operatorit të Valës. 6 cent është bërë sms, ndërsa ka qenë 2 centë. Po ashtu sms me operatorë të tjerë është bërë 8 centë”, ka thënë zyrtari i Valës në qendrën e thirrjeve.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktoj edhe me zyrtarin për informim të Valës, por që nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës.

Në anën tjetër shtrenjtimit e thirrjeve dhe mesazheve telefonike janë konfirmuar edhe nga Ipko. Zyrtari për shërbim me konsumatorë, ka thënë se rreth 3 apo 4 muaj më parë janë rritur çmimet.

Ai ka thënë se thirrja telefonike çdo minutë brenda operatorit ka kushtuar 9 centë, ndërsa tash e disa muaj është bërë 13 centë. Jashtë operatorit nga 10 centë është bërë 15, ndërkohë që dërgimi i një mesazhi kushton 6 centë.

Kujtojmë se që nga 28 nëntori, operatorit Vala do t’i shtohen të gjithë numrat që kanë qenë të operatorit privat “z-mobile”.