Ferizaj

Vaksinimi i mësimdhënësve nga Kosova në Shqipëri, SBASHK-u falënderon kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë

By FerizajPress

April 01, 2021

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për vullnetin e treguar për vaksinimin e një numri të mësimdhënësve.

SBASHK -u po ashtu falënderon Qeverinë shqiptare për vullnetin e treguar dhe pret nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit të Kosovës që të dalin me një deklarim zyrtar dhe me një plan konkret se si do të realizohet aktiviteti i vaksinimit të punëtorëve arsimor, aktivet ky që nuk do të jetë edhe i lehtë për t’u realizuar pasi që sektori i arsimit ka numër të madh të të punësuarve.Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se i ishte drejtuar me apel publik Qeverisë së kaluar të Kosovës që me rastin e fillimit të procesit të vaksinimit ta kenë prioritet sektorin e arsimit, duke ofruar edhe argumentet e bazuara për këtë kërkesë. Po ashtu, SBASHK-u më 29 mars i është drejtuar me shkresë ministrit Vitia, duke kërkuar një takim me të.

“Duke sqaruar arsyen e takimit SBASHK-u i kishte cekur në shkresën drejtuar ministrit Vitia se  ‘në këtë takim do të bashkëbisedonim për gjendjen aktuale në arsim dhe në rrethanat e krijuara nga pandemia dhe për mundësinë që punëtorët arsimor të jenë të përfshirë në listën prioritare për vaksinim’. Këtë kërkesë nuk po e bëjmë që të jemi të privilegjuar, por sektori i arsimit është nga më të prekurit nga COVID-19 dhe prandaj vaksinimi me prioritet i punëtorëve të këtij sektori do të krijonte siguri dhe mundësi reale që viti shkollor të vazhdonte nëpër institucionet arsimore, ashtu si është kërkesë dhe dëshirë e arsyeshme e institucioneve, SBASHK-ut dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u më tej thekson se është në pritje të këtij takimi për të bashkëbiseduar për këtë çështje dhe për të marrë informacione nga dora e parë edhe lidhur me deklaratën që mediet e Kosovës e kanë bërë publike, të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për gatishmërinë e shtetit shqiptar, që pasi ka bërë vaksinimin e një numri të konsiderueshëm të punëtorëve shëndetësor të Kosovës, të ndihmojë edhe në vaksinimin e punëtorëve në sektorin e arsimit të shtetit tonë.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një takimi në Rogozhinë konfirmoi se mësuesit e Kosovës do të vaksinohen në Shqipëri, pas kërkesës së kryeministrit, Albin Kurti.Rama u shpreh se është krenarë që po ndihmohet Kosova dhe pas vaksinimit të mjekëve, do të nisë tashmë edhe vaksinimi i mësuesve.