Ferizaj

Vajzat që ranë nga ndërtesa në Ferizaj janë motra mes vete, policia: Njëra u mundua ta shpëtonte tjetrën

By FerizajPress

January 22, 2023

Vajzat që ranë mbrëmë nga kati i katërt i një objekti banesor në Ferizaj janë motra mes vete. Zëdhënësi i Policisë së Ferizajt,

Kanun Veseli, tha se rasti në polici është hapur si vetëvrasje, ndërsa 18-vjeçarja ka tentuar ta shpëtojë motrën e saj 15-vjeçare e cila pas plagëve të marra ka vdekur.

Vajza 18-vjeçare e cila kishte bërë përpjekje për ta shpëtuar motrën e saj të mitur po trajtohet në QKUK dhe e njëjta ka pësuar lëndime të rënda trupore.

“Rasti është hapur si vetëvrasje. E ndjera ka tentu me kërcy, në përpjekje për ta shpëtu motra tjetër kanë rënë të dyjat”, shtoi Veseli.

Për këtë rast policia është njoftuar mbrëmë rreth orës 21:35.

“Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Sandër Prosi” në Ferizaj, dy vajza të moshës 18 dhe 15 vjet kanë rënë nga kati i 4-të i një objekti banesor dhe të njëjtat janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emeregjente në Ferizaj”.

Sipas policisë, vajzat në gjendje të rëndë shëndetësore janë dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në QKUK-Prishtinë.

Ku më pas është konfirmuar edhe vdekja e 15-vjeçares.

“Njëra nga të lënduarat Z.M (F/K) e moshës rreth 15 vjeçe për pasojë ka ndërruar jetë, kjo e konfirmuar nga mjekët, ndërsa e lënduar ka mbetur A.M (F/K) e moshës rreth 18 vjecare. Policia Rajonale e Ferizajt ,hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt po e hetojnë rastin”, ka konfirmuar zëdhënësi Veseli.