Shkruan : Shkelzen Marevci Ah… po më dhemb shpirti Dhembjen e ndiej thellë Më thellë se plagën e marrë Dhembjen që më bëri të vdisja për liri e të tretem atje ku ju nuk më shihni Dhembjen që bëri që gjaku im të përzihej e të bëhej një me dheun e vendit tim Epo, ja që sot nuk mundem ta bëj një gjë të tillë, më falni Të më falni populli im i përvuajtur Sikur të mundja do ta bëja, më besoni Vuajtjet tuaja qenë aq të rënda, saqë malet s’do t’i mbanin Rëndesa e tyre peshon akoma më rëndë sot, ngase tanët po i shkaktojnë E liga nga ai që nuk pritet ta shkërmoqë mishin nga eshtrat Më dhimbseni për Zotin, ngase vuajtjet tuaja s’patën të ndalur Vuajtjet tuaja as liria nuk i ndali, ato vetëm gjuhën e ndërruan E kuptoj, madje e di mirë nevojën tuaj për t’u çliruar nga e keqja që ju ka kapluar Nga e keqja që jua ka mbështjellë trupin e ju vdisni përditë ngapak Bezdia e shushunjave jua ka lodhur shpirtin Sa keq…! shushunjat e poshtra ushqejnë veten duke thithur dhe pikën e fundit të gjakut tuaj Ah sikur të mundja të vdisja përsëri, nuk do të kisha vdekur pa ndonjë “mik” Dikur hidhja plumba mbi armiqtë Sot, e dhimbshme, por do të kisha shkrepur plumba mbi ‘’miqtë’’ Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka gjuha që flet kur vepra është njëlloj me veprën e armikut? Mos mendoni se për mua kanë mbaruar vuajtjet Jo, jo… vazhdoj së vuajturi çdo çast të jetës sime të përtejme, ngase vuani ju Më dhemb shpirti kur shoh bashkëluftëtarin tim të zhytur në llum Rrëqethem sa herë kujtoj gjëra që dikur i bënin armiqtë Ndërsa sot, po ato gjëra i bëjnë “miqtë” O Zot…! kaq të dashura qenkan pushteti dhe paraja, apo njeriu qenka aq i dobët Aq sa të tjetërsohet miku në armik e patrioti në tradhtar Aq sa liria e tejpritur të kthehet në robëri Të përmbysen dhe ato gjëra që erdhen falë gjakut të derdhur Aq sa gjaku i dëshmorit të ndërrojë ngjyrën Të bëhet një me të pavlerën Aq sa të verbohet njeriu dhe të mos shohë gjë tjetër përpos parasë e pushtetit Të kthehet intelektuali në vjedhës xhepash Aq sa të gllabërohet çdo gjë mbi dhe e të mbyten ëndrrat Aq sa i sëmuri të duket monedhë paraje Mosni bre ju lutem, ndaleni turrin për atë Zot Sot dergjen e vuajnë i madh e i vogël jo për shkak të atij që foli gjuhën e armikut por për shkak të atij që fliste e flet gjuhën tonë