Lajme

Ushtria e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme edhe në qeverisjen e kaluar

By FerizajPress

March 11, 2017

“Ai Kuvend që nuk voton për krijimin e ushtrisë së shtetit të vet, duhet të shpërbëhet”, kishte thënë atëherë Thaçi.

Kuvendi pas asaj seance ishte shpërbërë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Ishin partitë e opozitës, në krye me LDK-në që hezitonin më së shumti të votonin, pasi që përfaqësuesit e komunitetit serb, votimin e tyre e ndërlidhnin me zgjatjen e mandatit për vendet e rezervuara në Kuvend.

“Ne kërkojmë që në rendin e ditës të jetë edhe vazhdimi për një mandat për vendet e rezervuara”, kishte thënë në atë seancë përfaqësuesi i komunitetit serb, Nenad Rashiq.

Sipas analistëve, mosgatishmëria e LDK-së për të votuar vinte kryesisht për shkak të zgjedhjeve dhe frikës së tyre, se me themelimin e ushtrisë së Kosovës, vendim të cilin e kishte marrë Thaçi në Qeveri, do të kreditohej politikisht PDK-ja.

Edhe asokohe si kryeministër, Thaçi kishte thënë se ushtria e Kosovës ishte përtej partive politike.

“Është interesi i shtetit. Është interesi i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duke votuar për Forcat e Armatosura të Kosovës në Kuvend, nuk votohet për këtë apo atë individ, nuk votohet për Qeverinë e Kosovës, por votohet për shtetin e Kosovës. Unë dua të shpresoj dhe të besoj se i gjithë spektri politik kosovar do ta marrë guximin, do të ketë kurajë, për të dalë mbi çdo interes të adresës së caktuar partiake, të interesit të ngushtë grupor, të interesit ditor elektoral, për të votuar në mënyrë unike dhe konsensuale për themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Forcat e Armatosura të Kosovës parashihej të kishin pesë mijë pjesëtarë aktivë dhe tre mijë rezervë, pra në tërësi 8 mijë pjesëtarë. Kjo forcë do ishte e ndarë në forcat tokësore dhe ato operacionale. Ndërsa, menaxhmenti i saj do të përfshinte Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, i cili do të kishte edhe katër njësi pranshtabore. Pjesë e kësaj linje do të ishte edhe Komanda Operacionale, Garda Kombëtare, Komanda Logjistike dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. /Lajmi.net/