Ferizaj

USHAF organizon ekspozitën “Profesionistët e së ardhmes”

By FerizajPress

June 01, 2021

Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u hap edicioni i pestë i ekspozitës “Profesionistët e së Ardhmes”, e cila organizohet çdo vit në UShAF, ku studentët e të gjitha fakulteteve ekspozojnë kreativitetin e tyre përmes punimeve të ndryshme.

Para ceremonisë së hapjes zyrtare të Ekspozitës, u zhvillua një bisedë me Rektorin e UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, Kryetarin e Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, mësimdhënësen, znj. Binaze Jashari dhe kryetaren e Parlamentit Studentor, Erblina Asani, ku studentët patën rastin t’i drejtojnë pyetje të ftuarëve dhe të bisedojnë rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e mëtejmë të Universitetit.

Rektori Bajraktari falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u uroi studentëve dhe stafit përmbylljen e vitit akademik, duke iu dëshiruar suksese në vitin që vijon.

Rektori Bajraktari tha se Ekspozita është një traditë që përcillet qe pesë vite në UShAF, ku studentëve u ipet mundësia të shpalosin talentin dhe angazhimin e tyre. Ai falënderoi kryetarin Aliu dhe tha se është një nga figurat që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Universitetit tonë.

Ndërsa, Kryetari Aliu tha se është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe një mundësi e artë që në këtë takim, në prani të të gjithëve të falënderoj Rektorin Bajraktari dhe gjithë stafin e Universitetit për punën e bërë dhe transformimin e këtij Universiteti në një institucion që i ka munguar Kosovës. Ai mëtej shtoi se bashkëpunimi me UShAF ka qenë gjithmonë frytdhënës dhe se është i lumtur që në zhvillimin e qytetit të Ferizajt ky Universitet ka dhënë një kontribut të madh duke krijuar me qindra Marrëveshje me biznese, falë të cilave Ferizaj është bërë kryeqendër e zhvillimit të biznesit.

Duke parë zhivillimin e hovshëm të Universitetit, Kryetari Aliu tha se ky institucion meriton një hapësirë më të madhe, e cila është menduar të realizohet në kuadër të projekteve dhe vizionit të Komunës, me ç’rast është planifikuar zhvendosja e lokacionit të Universitetit tek Parku i Lirisë, ku 10 deri 14 hektarë janë menduar t’i dedikohen kampusit të UShAF.

Pas fjalëve të Kryetarit, Rektori Bajraktari falënderoi z. Aliun rreth planeve të komunës për zhvendosjen e lokacionit të Universitetit dhe theksoi se i është shumë mirënjohës për kontributin e dhënë Universitetit që të bëhet një qendër e njohur jo vetëm në nivel kombëtar por edhe atë ndërkombëtar.

Mësimdhënësja Binaze Jashari, e cila punon qe 35 vite në këtë institucion, përmendi sfidat me të cilat është ballafaquar institucioni për të arritur suksesin që ka sot.

Erblina Asani, Kryetare e Parlamentit Studentor të UShAF përmendi bashkëpunimin e mirëfillt me Rektorin dhe menaxhmentin e UShAF, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të tyre në aftësimin profesional të studentëve. Pos tjerash theksoi edhe faktin se ka kërkesa të shumta nga qytetet tjera të Kosovës për të studiuar në UShAF, gjë që e bën të domosdoshme krijimin e një konvikti dhe menseje për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij Universiteti.