Ferizaj

UShAF lidh Memorandum Bashkëpunimi me Leadership Development Association Balkan

By FerizajPress

November 05, 2020

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Drejtori i Organizatës Leadership Development Association Balkan (LDA), z. Qendrim Hoxha, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për aftësimin profesional të të rinjve.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, të dyja palët partnere shprehën gatishmërinë për mbarëvajtjen e këtij Memorandumi dhe u zotuan se do të punojnë shumë për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Rektori Bajraktari falënderoi përfaqësuesin e LDA për bashkëpunimin dhe tha se është i hapur për bashkëpunime të tilla prej të cilave përfitojnë rinia jonë. Veç tjerash, Rektori tha se në saje të këtyre bashkëpunimeve, po rritet çdo ditë e më shumë suksesi i Universitetit.

Ndërsa, Drejtori Hoxha falënderoi rektorin Bajraktari për pritjen dhe u shpreh i kënaqur që po fillon të bashkëpunoj me universitetin e vetëm të shkencave të aplikuara në Kosovë. Poashtu, ai tha se duke e parë vullnetin e dyanshëm, shpreson se ky bashkëpunim do të sjell rezultate shumë të mira.

Koordinatorja e LDA, Leona Jahiri, njëherit edhe studente në UShAF, u shpreh e lumtur dhe shumë falënderuese ndaj të dyja palëve, për mbështetjen e madhe që po i bëjnë, që ajo të mund të kontribuoj sado pak në zhvillimin profesional të kolegëve të saj dhe të ndihmojë në ngritjen e cilësisë në Universitet.

Menaxheri i projekteve në LDA, Resul Gashi, tha se me knaqësi do të kontribuoj që studentët të përfitojnë njohuri nga kjo Marrëveshje.

Memorandumi ka për qëllim realizimin e projekteve për trajnimin e të rinjve, organizimin e seminareve, vizitave studimore, konferencave, punëtorive, etj.

LDA është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse, joqeveritare, e pavarur e cila ka për mision të ndihmoj individët e rinj në Republikën e Shqipërisë, Kosovës, Luginën e Preshevës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, të zhvillojnë aftësitë e tyre personale dhe profesionale duke bërë trajnime, konferenca, samite, simpoziume, shkëmbime, internship-e në një mjedis ndërkombëtar, për të ndihmuar individët e rinj për të realizuar potencialin e tyre, për të punuar me potencialin e të rinjve dhe për ti dhënë çdo të riu një mundësi për t’u bërë lider dhe për të sjellë ndryshime pozitive në komunitetin e tij.