Në kuadër të aktivitetit “Open Doors”, universiteti sot ka hapur dyert për të pritur maturantët e Kosovës, për t’i informuar ata rreth kushteve që ofron universiteti, rreth programeve e laboratoreve, si dhe hapësirave të tjera të cilat kontribuojnë në përvetësimin e shkathtësive profesionale.
Hapjen e aktivitetit “Open Doors”, e filloi Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili iu uroi mirëseardhje maturantëve.
“Ndjehem me fat dhe i privilegjuar të ju drejtohem në emër të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Që nga sot, Universiteti ynë do të jetë 3 ditë i hapur për ju. Gjatë këtyre ditëve nga stafi akademik i Universitetit, ju do të keni mundësinë që të njoftoheni për së afërmi me drejtimet e programet, punën praktik, punën e studentëve tanë dhe kushtet që ofrojmë ne. Drejtimet tona janë unike, të përgatitura nga stafi ynë profesional në bashkëpunim me profesorë ndërkombëtarë të fushave përkatëse. Uroj të bëni zgjedhjen e duhur të profesionit tuaj, që do të ju shoqërojë gjatë gjithë jetës”, tha Rektroi.
Erblina Asani, studente në UShAF, tha se ndjehet shumë e lumtur për zgjedhjen që ka bërë, sepse UShAF të ofron të gjitha mundësitë që të aftësohesh profesionalisht, duke nisur nga afërsia që kemi me profesorë, ndërmarrjet bashkëpunuese të Universitetit dhe Rektorin, i cili sipas saj gjithmonë dhe në çdo kohë është i gatshëm të takohet me studentët për çfardo ankese apo ideje që shfaqin ata. Ajo këshillon të gjithë të rnijtë që të zgjedhin UShAF.
Në përfundim të ceremonisë, maturantët, të ndarë në grupe të vogla e të shoqëruar nga profesorët e Universitetit, vizituan hapësirat e ndryshme në kuadër të objektit që të shohin për së afërmi mundësitë që ofron universiteti ynë.
“Open Doors”, mbetet i hapur edhe me datë 18 dhe 19 maj për të gjithë maturantët që sot nuk patën mundësi të bëhen pjesë e këtij aktiviteti.