Lajme

UNDP lansoi sot projektin “Lufta kundër krimit kibernetik”

By FerizajPress

February 15, 2019

UNDP lansoi sot projektin “Lufta kundër krimit kibernetik” (C3K) që financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë përmes Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë. Projekti do të trajtojë krimin kibernetik duke ndihmuar në zbatimin e Strategjisë për Siguri Kibernetike në Kosovë, duke zhvilluar kapacitetet e institucioneve kyçe, si dhe duke rritur vetëdijesimin për kërcënimin që paraqet krimi kibernetik.

Krimi kibernetik përcaktohet si një gamë e gjerë e veprimtarive kriminale ku kompjuterët dhe sistemet informative përdoren si mjet apo objektiv. Kjo mund të përfshijë çdo gjë nga mashtrimet dhe vjedhjet e identitetit deri tek përhapja e programeve shkatërruese (malicious software/softver qëllimkeq) dhe meaterialeve ilegale. Sipas EUROPOL-it, krimi kibernetik është bërë më agresiv dhe konfrontues në vitet e fundit.

Për të trajtuar këtë lloj të ri të rrezikut, institucionet e Kosovës po punojnë në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe individuale. Objektivi kryesor i këtij projekti është që të mbështesë zbatimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike, duke siguruar një hapësirë më të sigurtë kibernetike si për qytetarët ashtu edhe për institucionet.

Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, tha se kjo çështje në rritje duhet të adresohet në mënyrën e duhur dhe falënderoi partnerët e projektit. Ai më tutke theksoi se shpreson që përmes këtij projekti të ndryshojë pozitivish gjendja në fushën e krimit kibernetik kurse partnerët të mbeten të njëjtë.

Në fjalimin e tij të mirëseardhjes, Sh.T. Per Strand Sjaastad, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, tha se krimi kibernetik është një çështje me rëndësi kritike tani dhe në të ardhmen dhe se nevojitet bashkëpunim dhe punë ekipore për të arritur rezultate.

Rëndësia e sigurisë kibernetike ishte temë bosht në këtë ngjarje ku kjo temë u diskutua nga këndvështrimi institucional dhe individual.

Znj. Alessandra Roccasalvo, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së theksoi se pavarësisht risive pozitive që ka sjellë, përparimi teknologjik është gjithashtu një shpatë me dy tehe, ku shfaqen hapësira të reja për të kryer veprimtari kriminale. Ajo gjithashtu deklaroi se, krimi kibernetik është kundërvajtje jo-tradicionale ku dikush që mund të gjendet edhe 10.000 kilometra larg përpiqet të shkaktojë dëm qoftë personave ose shoqërisë në përgjithësi.

Ky projekt 2 vjeçar synon të luftojë krimin kibernetik përmes ngritjes së kapaciteteve, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kyçe, si Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës. Një element tjetër i projektit është që të zbatojë një fushatë informuese për publikun e gjërë në mënyrë që të ngritet niveli i vetëdijes ndaj krimit kibernetik.