Ferizaj

U promovua pavarësimi i shkollës “Arsim Rexhepi” në Sazli

By FerizajPress

February 21, 2017

Me një ceremoni solemne, sot u bë promovimi i pavarësimit dhe emërtimit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët në Sazli të Ferizajt, me emrin e dëshmorit Arsim Rexhepi. Drejtoresha e kësaj shkolle Zërieta Hamza-Shahini, duke paraqitur rrugëtimin e pavarësimit, tregoi se që nga nëntori i vitit të kaluar është bërë konsolidimi i kuadrit arsimor dhe i infrastrukturës pedagogjike. Shkolla e Sazlisë ka mbi 250 nxënës së bashku me paralelen e ndarë në Papaz, 13 punëtorë të rregullt dhe shtatë të tjerë me angazhim të pjesshëm, gjashtë dhoma mësimi dhe lokale përcjellëse. Kurse kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, u shpreh i gëzuar që shkolla po emërtohet me emrin e dëshmorit Arsim Rexhepi, i cili u flijua për të sotmen dhe për të ardhmen e lirë të vendit tonë. Kryetari Svarqa gjithashtu shfaqi kënaqësinë që fëmijët dhe të rinjtë e kësaj ane tashmë kanë shkolla të plota në shumicën e vendbanimeve, ndryshe nga brezat e mëparshëm që kanë udhëtuar me kilometra të tëra nga fshatrat përreth, për të ndjekur mësimet në shkollën e Softajt. Më pas kryetari Svarqa dhe babai i dëshmorit Arsim Rexhepi, Xhemajl Rexhepi, zbuluan pllakën me emrin e dëshmorit, emrin e të cilit do ta mbajë shkolla e Sazlisë. Banorët e këtij vendbanimi i bënë befasi me një tortë Xhemajl Rexhepit, meqë pikërisht sot kishte ditëlindjen e shtatëdhjetë. Nxënësit e shkollës “Arsim Rexhepi”, shfaqën një program me valle e recitime për nder të pavarësimit.