Lajme

U ndalohet hyrja në diskotekë, vetëm pse janë shqiptarë?

By FerizajPress

September 13, 2016

Vazhdimisht në diskotekat zvicerane ndodhin raste që të huajve dhe në veçanti shqiptarëve, t`u ndalohet hyrja. Rreth kësaj teme është shkruar shpesh nga mediat e këtushme dhe së fundi një rast të tillë që merr kahje të dukurisë, e aktualizon 20minuten.ch.

Besnik Ziba është një taksist në St. Gallen dhe për nga profesioni, e njeh jetën e natës në këtë qytet më mirë se kushdo. Për çdo fundjavë ai transporton nëpër qytet të rinjtë që shkojnë nëpër diskoteka, apo ata që do të donin të shkonin, por që nuk lejohen! Jo më larg se të enjten Ziba ka qenë dëshmitar se si tre t rinj me rrënjë shqiptare futbollistë juniorë nga Zvicra Lindore nuk janë lejuar të hynin në diskotekën e njohur “Elephant-Club”, transmeton albinfo.ch. “Dhe kjo ka ndodhur, pa ndonjë arsyetim”, thotë i zemëruar Ziba, tek tregon se sa të dëshpëruar janë ndjerë djelmoshat.

“Ata nuk kanë bërë kurrfarë problemesh, thjesht janë sjellë në mënyrë korrekte”, thotë Ziba më tutje. Por megjithatë, sipas tij, tre djemtë dhe shoqërueset e tyre janë përzënë personalisht nga shefi. Ziba thotë: “Mbase për faktin se janë shqiptarë”.

Tre futbollistët e rinj janë të zhgënjyer dhe nuk arrijnë ta kuptojnë përjashtimin. “Ne nuk ishim të dehur, jemi sjellë mirë dhe veshjet i kishim brenda kritereve të njohura në jetën e natës. Por, shefi na përzuri menjëherë. Pyetjes për arsyen e këtij refuzimi, ai i përgjigjej vetëm me një “Jo”, pa dhënë ndonjë arsyetim.

Por, nga klubi në fjalë vijnë tash përgjigje tjera, përcjell albinfo.ch. Ata habiten me këto akuza, veç tjerash edhe për faktin se nga 50 punëtorët e klubit, 12 janë shqiptarë. “Ndodh që grupet me vetëm meshkuj edhe të mos lejohen të hyjnë ndërsa çiftet dhe femrat të trajtohen me përparësi. Gjithmonë sipas ligjit, thonë në udhëheqjen e klubit. Ndërsa rasti i të enjtes është i panjohur për punëtorët e “Elephant”-it.

Përvoja të ngjashme kanë pasur edhe ballkanas tjerë. Rasti më i freskët ka qenë ai kur një serbi të ri i ishte refuzuar, sipas tij, hyrja në klubin BBC në Gossau, po ashtu në regjionin lindor të Zvicrës. Por zëdhënësja e klubit ka thënë për mediat se për çdo rast ankese, personat e prekur duhet të paraqiten te stafi i klubit. Aty pastaj mund të vërtetohet rrjedha e ngjarjes përmes shikimit të videoxhirimeve.