Ferizaj, 23 dhjetor 2025 – Në ambientet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF), u mbajt Takimi Informues me temën “Mësimi Profesional Dual dhe Skemat e Granteve”, i organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe MIRECK, në partneritet me LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, në kuadër të projektit “Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”.
Takimi mblodhi përfaqësues të bizneseve, institucioneve arsimore dhe akterë relevantë të rajonit të Ferizajit, me qëllim informimin dhe diskutimin rreth zhvillimit të mësimit profesional dual dhe mundësive të mbështetjes përmes skemave të granteve.
Para të pranishmëve, Arieta Vula-Pozhegu, Drejtoreshë Ekzekutive e SHPDK-së, theksoi rëndësinë e avancimit të sistemit dual të arsimit profesional, duke nënvizuar se shkollat, bizneset dhe organizatat janë ende akterë relativisht të rinj në këtë proces.
“Ne si shoqata jemi në shërbim të bizneseve për të fasilituar bashkëpunimin e tyre me shkollat profesionale dhe për ta shtyrë përpara sistemin dual të arsimit,” u shpreh ajo.
Ndërkohë, Agon Isufi nga Oda Ekonomike e Kosovës prezantoi zhvillimin e arsimit dual në Kosovë, duke theksuar progresin e dukshëm gjatë katër viteve të fundit.
“Arsimi dual ka filluar me katër shkolla, katër profile dhe 90 nxënës. Sot, kemi arsim dual në 92 shkolla, 16 profile, rreth 2,400 nxënës dhe 800 ndërmarrje të përfshira në 17 komuna,” tha ai, duke shtuar se kjo formë e bashkëpunimit rrit ndjeshëm mundësitë për rekrutimin e fuqisë së re punëtore.
Në vazhdim, Luan Hoti nga LuxDev prezantoi skemën e granteve të mbështetura nga Qeveria e Luksemburgut, duke sqaruar mënyrat e aplikimit dhe kriteret për bizneset dhe institucionet arsimore.
Sipas tij, ekzistojnë dy forma kryesore mbështetjeje:
Mbështetja për kompanitë private përmes krijimit të partneriteteve me shkollat profesionale, me kontrata tri-vjeçare ku lider është biznesi privat;
Ofrimi i mundësive për trajnime të specializuara përmes akredituesve privatë.
Ai bëri të ditur se për këto qëllime janë ndarë 1 milion euro, ndërsa grantet individuale mund të variojnë nga 50,000 deri në 100,000 euro.
Gjatë takimit u zhvillua edhe një diskutim i hapur me bizneset pjesëmarrëse, ku u sqaruan procedurat e aplikimit, kriteret për përfitim dhe hapat e ardhshëm për përfshirje në sistemin dual dhe skemat e granteve.
SHPDK, OEK, MIRECK dhe LuxDev falënderojnë të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët për angazhimin dhe interesimin e treguar, duke ritheksuar përkushtimin e tyre për fuqizimin e arsimit profesional dhe zhvillimin e punësimit të qëndrueshëm në Kosovë.