Paraditen e sotme, në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, në organizimin e Klubit të Hendbollit “Kastrioti” meshkujt dhe mbështetjen e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhje komemorative në përkujtim të jetës, kontributit dhe veprës së ikonës së hendbollit ferizajas, Skender Sahiti, i cili dje në moshën 63 vjeçare ndërroi jetë. Në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu çmoi lartë kontributin e Sahitit në zhvillimin e sportit ferizajas, veçanërisht hendbollit, duke theksuar se i ndjeri ishte fytyra më e mirë e Borcit të Ferizajt, klubit që bëri historinë jashtë kufinjve tanë territorial, si dhe sportist e trajner i përmasave ndërkombëtare.
“Ferizaj është qendra sportive më e madhe në vend, që ka arritur për dekada me radhë të nxjerr sportistë elitar. Kjo e dhënë tregon mishërimin që ka ky qytet me sportin e në veçanti me sportistët që reprezantuan më së miri frymën e këtij qyteti. Të tillë i kishim edhe Sheqer Shllakun, Mehdi Jashari, Gani Malokun e Isuf Bytyqin. Me dhembje e trishtim në zemër, të pafuqishëm për t’i bërë ballë vdekjes, humbëm dje edhe hendbollistin elitar, portierin e klubit të famshëm ferizajas Borci, trajnerin e përmasave ndërkombëtare, Skender Sahiti. Kjo humbje dhe humbjet e ikonave të tjera të sportit ferizajas, veç thellojnë dhembjen tonë dhe familjarëve, mirëpo lënë pas një trashëgimi të pasur sportive dhe emblemë sesi duhet ta duam sportin dhe të krijojmë e forcojmë klubet. Ferizaj ishte dhe mbetet kampioni i sportit të hendbollit, për të cilën një kontribut të çmueshëm dha edhe Skender Sahiti. Kur po hidheshin themelet e sportit ferizajas, ishte pikërisht Skender Sahiti dhe gjithë ikonat tjera që Ferizaj i ka rezervuar një vend fisnik në historinë e tij, ata të cilët nuk kursyen fare, as djersën, as veten dhe as familjet e tyre për t’i dhënë sportit atë që të gjithë synojnë rezultatet më të larta. Shpirti i rinisë ferizajase, është ndërthurur dhe shtresuar me këto ikona, të pavdekshme në memorien tonë kolektive dhe jashtëzakonisht të çmuara lartë në arenën lokale dhe më gjerë. Skender Sahiti ishte fytyra më e mirë e Borcit të Ferizajt, klubit që bëri historinë jashtë kufinjve tanë territorial. Ai ishte kurdoherë i gatshëm që të vë në shërbim zhdërvjelltësinë e tij, talentin e lindur sportive dhe guximin e pashoq për të hapëruar suksesshëm në sfidat e radhës. Zonja dhe zotërinj! Më lejoni që në emër të qytetarëve të Komunës së Ferizajt, ekzekutivit të komunës t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Sahiti, sportistëve të Klubit të Hendbollit “Kastrioti”, veteranëve të ish klubit “Borci”, Federatës së Hendbollit të Kosovës, dhe gjithë komunitetit sportiv në Ferizaj e më gjerë. Pastë dritën e parajsës shpirti i tij! Ngushëllime!” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Edhe kryetari i Klubit të Hendbollit “Kastrioti” – meshkujt, Lulzim Abazi mbajti një fjalë rasti para të pranishmëve në nderim të kontributit të hendbollistit legjendar ferizajas, Skender Sahiti, i cili ndërroi jetë pikërisht dje, në ditën kur po bëhej përzgjedhja e laureatëve të hendbollit për vitin 2018.
“Sot është një ditë zie për sportin lokal! Pikërisht në ditën e përzgjedhjes së laureatëve të hendbollit për vitin 2018, ne, humbëm ikonën e zhdërvjelltësisë, shpirtit luftarak e kolektiv të gjigandit të henbollit ferizajas, Skender Sahiti. Sëmundja sfidoi Kenon shpeshherë mirëpo kësaj radhe, na mori përjetësisht zërin e motivimit dhe ekzemplarin e punës së palodhshme sportive për të arritur suksese kulminante me klubin emblematik të sportit lokal KH Kastrioti dhe dikur të Borcit famoz. Vdekja e parakohshme ka lënë boshllëk të madh, hendbollisti elitar, trajneri i emblemës së sportit ferizajas, KH “Kastrioti”, portieri i “Borcit” famoz, sportisti i rangut ndërkombëtar Skender Sahiti do të rroj gjatë në kujtesën e gjithësecilit prej nesh por edhe në historinë e lavdishme të sportit ferizajas. Fjalët janë të varfëra për të përshkruar sadopak shpirtin luftarak e zhdërvjelltësinë e pashoq të mikut tonë dhe gjithë sportit ferizajas e më gjerë, Skender Sahiti. Salla nuk do të kumboj më zërin e tij, përplasjet e topit nuk kanë më fuqinë depërtuese në zemrën e tifozerisë e besnikëve të hendbollit ferizajas. Në emër të kryesisë së klubit KH “Kastrioti” – meshkujt, veteranëve të ish klubit “Borci” dhe gjithë sportdashësve besnikë të hendbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së respektuar Sahiti, Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe gjithë sportistëve dhe adhuruesve të sportit! U prehtë në paqe të përjetshme, shpirti yt guximtar Keno!” tha Abazi.
Me një fjalë rasti në këtë komemoracion të pranishmëve iu drejtua edhe Izet Gjinovci, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, i cili me dhembje e krenari kujtoi kohërat e arta ku hendbollisti Skender Sahiti shënoi suksese kulminante. Fare në fund të kësaj mbledhje komemorative, biri i të ndjerit, Skender Sahitit, Dion Sahiti falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbledhje komemorative, duke thënë se amaneti i prindit të tij do të mbahet mend gjatë në memorien kolektive dhe suksesshëm do t’i prijë zhvillimit të sportit.
Ceremonia e varrimit do të bëhet sot në vendlindjen e të ndjerit, në varrezat e fshatit Papaz.