Lajme

Turqia miraton ligj që zëvendëson gjendjen e jashtëzakonshme

By FerizajPress

July 26, 2018

Ligji është hartuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe do të jetë i vlefshëm për tre vjet.

Ai parasheh mënyra për të shkarkuar gjyqtarë, pjesëtarë të ushtrisë dhe punonjës të ministrive.

Guvernatorët e provincave mbajnë disa kompetenca emergjente, të tilla si kufizimi i lirisë së tubimit.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila është vënë pak ditë pas përpjekjes për grushtshtet ushtarak më 15 korrik, 2016, përfundoi më 19 korrik, pasi qeveria nuk e zgjati atë.

Opozita e cilësoi ligjin e ri si mënyrë për ta bërë “gjendjen e jashtëzakonshme të përhershme”.

Partia e Erdoganit dhe aleatët e saj të ekstremit të djathtë nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste siguruan shumicën parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar, gjë që u mundësoi atyre të kalonin masën pa probleme.