Lajme

Turqi, fillon gjykimi për tentim atentati ndaj Erdoganit

By FerizajPress

February 20, 2017

Seanca dëgjimore u mbajt në Odën Ekonomike dhe Industriale në Mugla, nga shkaku i numrit të madh të të dyshuarve, nën masa të rrepta të sigurisë. Ekipi atentator ishte në mesin e të dyshuarve të cilët sot dolën para gjykatësit pasi paraprakisht janë mbajtur në paraburgim në pritje të gjykimit.

Ndërsa po mbahej seanca gjyqësore, para sallës dëgjimore ishte tubuar një numër i vogël protestuesish të cilët shprehën revoltën e tyre kundër të akuzuarve për atentat.

Natën e tentativës për grusht shtet në Turqi, në hotelin në të cilin pushonte presidenti Erdoğan në Marmaris, mbetën të vrarë dy policë. Më vonë gjatë natës, Erdoğan përmes një video publikuar në televizion i tha kombit se ka shpëtuar, pasi vetëm 15 minuta pas largimit të tij, hoteli është sulmuar me bombë.

Organizata terroriste FETO e cila drejtohet nga kleriku Fetullah Gylen me qëndrim në SHBA, është akuzuar për organizimin e puçit të dështuar.

Nata e dhunshme la të vrarë 248 persona dhe rreth 2.200 të tjerë të plagosur. Qeveria akuzon FETO-n se qëndron prapa një fushate të gjatë për përmbysjen e qeverisë legjitime përmes infiltrimit në institucionet shtetërore, në veçanti në polici, ushtri dhe gjyqësor.