Lajme

Tri raste të reja me koronavirus në Kosovë — shërohet edhe një pacient

By FerizajPress

April 09, 2020

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 3 raste të reja me koronavirus në vend.

Numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 227.

Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK sot ka testuar 117 mostra, prej të cilave 3 kanë rezultuar pozitive.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, një (1) rast me vendbanim nga Suhareka, një (1) rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, një (1) rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq”, ka njoftuar IKSHPK.

Instituti po ashtu ka bërë të ditur se është shëruar edhe një pacient me koronavirus.

“Sot më 09 prill 2020, është shëruar edhe një (1) pacient, derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tridhjetë e tetë (38)”, thekson njoftimi.

Njoftimi i plotë i IKSHPK’së:

TRE RASTE  POZITIVE ME COVID-19!

Sot më 09 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar  gjithsej 117 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2,  gjithsej tre (3) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, një (1) rast me vendbanim nga Suhareka, një (1) rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, një (1) rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq.

Sot më 09 prill 2020, është shëruar edhe një (1) pacient, derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tridhjetë e tetë (38).

Sot më 09 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes nga fshati Vrapçiq-Gjilan i gjinisë mashkull, të moshës 72 vjeç dhe i konfirmuar me COVID-19 me datë 23 mars 2020. Është trajtuar në repartin intenziv të Klinikës Infektive nga data 31 mars 2020. Pacienti ka patur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga data 08 shkurt  deri më 09 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.687 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e njëzet e shtatë (227) raste me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri me 09 prill 2020 gjithsej dyqind e njëzet e shtatë (227) raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.028 kontakte të rasteve.

Nga data 01.02.2020 deri me 09.04.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 26.844 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.070 udhëtarë, Merdare 6.690, Vërmicë 7.798, Jarinje 2.286, Dheu i Bardhë 1.281, Hani i Elezit 5.138, Kullë 1.662, Qafë Morinë 47, Bërnjak 669, Qafë Prush 35, Muçibabë 167 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 09 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 1.587.709 raste të COVID-19 dhe 94.888 raste të vdekjes.

QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!

MBANI DISTANCË FIZIKE PËR SË PAKU 2 METRA!

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!