Editorial

Trashëgimia kulturore e fshatit Komogllavë

By FerizajPress

September 13, 2019

           Trashëgimia kulturore e trevës së Ferizajt, është mjaftë e pasur duke marrë parasysh se në të  gjenden disa prej lokaliteteve me rëndësi arkeologjike të cilat mund krijojnë një mundësi të mirë për daljen në pah të vlerave trashëgimore dhe historike, përmes kulturës materiale e cila determinon e disa vendbanime të rrethinës së Ferizajt, të cilat përgjatë historisë që kanë  arritur të ruajnë  traditën dhe vazhdimësinë kulturo-historike.

Lokaliteti i njohur si “Kroni” në ndodhet në  pjesën juglindore të fshatit Komogllavë  gjendet ne oborrin e familjes Haziri. Ekzistimi ujësjellësit në këtë vendbanim, tregon mesë miri shkallën e zhvillimit të tij. Gypat e këtij ujësjellësi janë punuar nga qeramika e pjekur që e ruan fortësinë  dhe cilësinë, ku thellësia e tyre është 2.15 metra. Shenjat  të këtij, ujësjellësi shpien nga ana veriore e fshatit. Gjatësia e gypit jashtë tokës është 80 cm dhe ka një diametër prej f-100.

Fig.01 Pamje e gypit ujësjellësit të  periudhës romake i cili ruhet me kujdes nga familja Haziri e fshatit Komogllavë.

      Komogllava është lokalitet në të cilin kanë dalë mbi sipërfaqe gjurmë të lashtësisë iliro-dardane, toponimi “Mali i Kishës”, ka qenë vetëm një pikënisje për të hulumtuar në këtë zonë për gjurmët e së kaluarës së largët, ndërsa fragmente nga kohët e largëta, veç kishte filluar toka t’i nxirrte sipër. Bëhet fjalë për një kishë të periudhës së hershme mesjetare e ngritur në një lartësi mbidetare prej 600 metrash, ka qenë një objekt ku janë kryer shërbesat fetare kishtare për disa fshatra.  “Themelet e kësaj kishe po dalin në sipërfaqe, bashkë me to edhe fragmente tjera, që e dokumentojnë ekzistencën e jetës në këtë vend. Në këtë lokalitet janë gjetur vazo, enë prej qeramike, monedha, stoli, artefakte tjera nga materiali i hekurit. Për fat të keq, shumë pak prej këtyre objekteve janë ruajtur sot të plota. Kjo kishë besohet se duhet t’i takojë shekullit të IV-V e.s.

Fig.02 Lokaliteti i quajtur mali i kishës

Fig.03  Këto fragmente të enës  prej  qeramikës dhe kryqi i kishës  gjenden në lokalitetin Mali i Kishës.

       Është një lokalitet antik i urbanizuar me rrugë, kanalizim dhe infrastrukturë  tjetër. Poçaria e gjetur këtu pak ngjason me ato që janë gjetura në vendbanime tjera, por ka një analogji mes fragmenteve. Poçaria besoj se i takon periudhës vonë antike apo asaj të hershme mesjetare, duke treguar për shtrirje të rrjeti prej  gypave të ujit, cilët edhe sot janë shumtë. Kjo na ofron të dhëna se Komogllava, është ndër vendet e pakta, që ka një rrjet ujësjellësi të kësaj periudhe.

Gypat të ujësjellësit që përkasin  periudhës antikitetit të vonë, të cilat janë gjetur  në lokalitetin e  quajtur lagjia e Kurdiajve në Komogllavë.

Ilir Bytyçi- Përgjegjës për Trashëgimi dhe Muze në Ferizaj