Lajme

Tragjike, foshnjën me tumor nuk e mjekojnë sepse prindërit nuk kanë para

By FerizajPress

July 21, 2018

Denoncimin për aktin kriminal e bëri dje një studente mjekësie në Tiranë, e cila iu drejtua për ndihmë z.Koço Kokëdhima, kryetar i partisë ZGJIDHJA dhe botues i gazetës ‘Shekulli”, për ta bërë sa më mediatike këtë sjellje çnjerëzore ndaj një foshnjeje që rrezikon jetën. Fëmija vetëm 16 muajsh ka 5 ditë aty dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mëse 10 muaj më parë, pasi u dignostikua me tumor, fëmija iu nënshtrua një operacioni për heqjen e syrit të majtë, kurim i ofruar falas nga Spitali Amerikan. Por tani metastazat janë shpërndarë në të gjithë fytyrën e fëmijës duke i rrezikuar jetën. Ndaj mjekët kanë sugjeruar nisjen e një kimioterapie urgjente për të ndalur përparimin e sëmundjes.

I ati i vajzës së mitur, Bledar Helmi, nga fshati Belesovë i Beratit, thotë se nuk ka mundësi financiare për të ndjekur kurimin e vajzës së vet sepse është i papunë dhe ka edhe dy fëmijë të tjerë më të rritur për të mbajtur. Sipas tij ilaçet e para për kurën kushtojnë rreth 15 mijë lekë që ai nuk ka mundësi t’i sigurojë sepse është në gjendje shumë të vështirë ekonomike. I pyetur se çfarë do të bëjë nëse spitali nuk do t’i ofrojë ilaçet falas, Bledari thotë se ai nuk ka asnjë mundësi dhe shpreson te humanizmi i mjekëve, të cilët, sipas denoncimit, ende nuk e kanë kuruar vajzën e mitur që vjen nga një familje e varfër.