Gjykata e Ferizajt e ka dënuar një person me 3 vjet burg e 600 euro gjobë për trafikim të bashkëshortes së tij.
Gjykata e ka shpallur fajtor të pandehurin, F.R. pasi ai për dy vite radhazi akuzohet se ka trafikuar bashkëshorten e tij, duke e detyruar atë që të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, në këmbim të parave në shumë të ndryshme prej 10 deri në 50 euro.
Sipas aktgjykimit, nga viti 2020 deri me datë 16 dhjetor 2022, në Ferizaj, Prishtinë dhe Mitrovicë, i pandehuri, baba i dy fëmijëve e kuzhinier me profesion, me anë të kanosjes serioze, dhunës psikike si dhe keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme të viktimës, e ka trafikuar bashkëshorten e tij në gjashtë raste.
Ai është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “trafikimi me njerëz”, përmes së cilës ka përfituar jo më shumë se 130 euro.
I akuzuar F.R. është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 3 vitesh, të cilin dënim do ta vuajë pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë (nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë).
Po ashtu, F.R. mori një dënim me gjobë në lartësi prej 600 euro, të cilin gjobë duhet ta paguajë në afat prej 30 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë (nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë).
Gjykata ka thënë se i pandehuri ndaj të dëmtuarës ka pasur kontroll të plotë, dhe trafikimin e saj e ka bërë në vazhdimësi dhe me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete.
E dëmtuara është detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, në këmbim të parave, të cilat janë pranuar nga F.R., e të cilat para më pas janë shfrytëzuar për nevojat e tij personale.
Gjykata ka thënë se F.R. këto para i ka pranuar nga tre të pandehurit e tjerë, I.Sh., Xh.L. dhe F.M., të cilët po ashtu u shpallën fajtorë.
I pandehuri i parë I.Sh., sipas aktgjykimit nga muaji maj i vitit 2022 deri me datë 16 dhjetor 2022, në Ferizaj, në vazhdimësi dhe me dashje kishte shfrytëzuar shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit.
Ai fillimisht ka kontaktuar me të pandehurin F.R., burri i të dëmtuarës, përmes rrjetit social Facebook.
F.R., përmes këtij kontakti ia kishte ofruar të dëmtuarën I.R., për të kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.
“Me të njëjtën së bashku kanë shkuar dy herë tek një motel në rrugën e Shtimes” – shpjegohet në aktgjykim.
Pas shfrytëzimit të shërbimeve seksuale nga viktima e trafikimit, i pandehuri I.Sh. i pamartuar dhe taksist me profesion, burrit të të dëmtuarës F.R., ia jep shumën e të hollave 30 euro sipas marrëveshjes që kishte me të.
Aktgjykimi tregon se për herën e dytë kur ai e ka shfrytëzuar për shërbime seksuale të dëmtuarën, burrin e saj e ka paguar me 50 euro.
Fajtor është shpallur edhe Xh.L., i cili është nga Komuna e Gllogocit. Në aktgjykim thuhet se gjatë periudhës kohore nga viti 2021 deri me datë 28 nëntor 2022, në regjionin e Ferizajt, ai ishte takuar tri herë.
Për këto tri raste ku ata janë takuar, e ku e dëmtuara është shfrytëzuar për shërbime seksuale, i pandehuri F.R. është paguar me nga 10 euro për secilën herë.
Xh.L. u shpall fajtor pasi ai në vazhdimësi dhe me dashje kaishte shfrytëzuar shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit.
Edhe në këtë rast, kontakti fillimisht ka qenë me bashkëshortin e të dëmtuarës, i cili e kishte ofruar këtë të fundit për të kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.
“Me të njëjtën, së bashku, kanë shkuar një herë në shtëpinë e tyre në Ferizaj, ndërsa dy herë të tjera me veturën e tij, të tre së bashku, kishin shkuar në një motel në rrugën magjistrale Ferizaj- Prishtinë si dhe në një motel në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik” – thuhet në aktgjykim.
Një situatë pothuajse e njëjtë është përsëritur edhe me personin e tretë F.M. nga Komuna Kamenicës, i cili po ashtu është shpallur fajtor.
Ky i pandehur, sipas aktgjykimit, më datë 25 korrik të vitit 2022, në Ferizaj pas kontaktit që kishte pasur me F.R., kishte shkuar në shtëpinë e tij, kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan e këtij të fundit, dhe pas shfrytëzimit të shërbimeve seksuale nga viktima, i njëjti ia ka dhënë të pandehurit F.R., shumën e të hollave prej 20 euro.
Tre të akuzuarit, I.Sh., Xh.L. dhe F.M., u shpallën fajtor për veprën penale “shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, dhe secili nga ta u dënuan me burg në kohëzgjatje nga gjashtë muaj, por me pëlqimin e të akuzuarve Gjykata u zëvendësoi me dënim në gjobë për secilin në shumë nga 1 mijë e 600 euro.