Ferizaj.12.10.2017. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, Faton Topalli, ka mbajtur një takim me fermerët ferizajas, të cilëve u ka premtuar rritje të subvencioneve prej mbi 1 milionë euro, nëse merr udhëheqjen e qeverisë lokale. Ai tha se në programin e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë lëmi, prioritet do të jetë zhvillimi i pemëtarisë.
“Për ta mbështetur prodhimin vendorë ne do ta restaurojmë tregun aktual, do ta renovojmë, do ta bëjmë një treg të përshtatshëm edhe për ata që shesin, por edhe ata që vijnë për t’i blerë produktet bujqësore, po ashtu do ta bëjmë edhe tregun mobil ku do t’iu japim mundësi më të madhe prodhuesve vendorë që ta plasojnë mallin e tyre, në vendet perëndimore produktet që prodhohen në regjion janë produkte që kushtojnë më shtrenjtë sepse kanë një kualitet shumë të mirë, duke pasur parasysh që nuk është njësoj kur domatja vjen prej Italisë apo ndonjë vendi tjetër në Ferizaj, apo prodhohet këtu 10 kilometra larg qytetit, ajo është edhe më e mirë, më e freskët dhe mbi të gjitha i stimulon prodhuesit bujqësor, pra do të angazhohemi t’i stimulojmë prodhuesit vendorë dhe t’i afirmojmë ata”, tha Topalli.