Lajme

Topalli: Punëtorët në Kosovë trajtohen si skllevër

By FerizajPress

September 30, 2016

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas largimit të 95 punëtorëve nga KEDS duke thënë se kjo është pasojë e privatizimit të keq të kësaj kompanie.

Deputeti i kësaj partie, Faton Topalli, ka shfrytëzuar një konferencë për media për të folur në përgjithësi për gjendjen e rëndë të punëtorëve në Kosovë.

“Punëmarrësi në Kosovë janë kategoria më diskriminuar në vendin tonë. Ata janë lënë pa mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje”, ka thënë Topalli.

“Oraret e gjata të punës, kushtet e vështira në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e kompensimit të rrogave pas fatkeqësive në punë, puna me muaj dhe ndonjëherë me vite pa asnjë ditë pushimi, janë vetëm disa nga problemet që i bëjnë punëmarrësit e Kosovës në skllevër të vërtetë”

Në konferencë foli edhe Naim Hoxha, drejtues i Komitetit për Energjetikë në këtë parti, sipas të cilit, largimi i punëtorëve të KEDS ka ndodhur për të rritur profitin e kompanisë e duke ulur koston e punës.

Përjashtimi nga vendet e punës e përjashton dijen dhe përvojën që shoqëria e ka krijuar për një kohë të gjatë në fusha specifike të industrisë së prodhimit, duke kushtëzuar njëkohësisht kualifikim të fuqisë punëtore”, shtoi ai.

KEDS njoftoi këtë javë se ka vendosur të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim dhe rrjedhimisht të gjithë të punësuarve në të u ndërpriten kontratat e punës./Insajderi.com