Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, në emisionin Info Magazin, ka thënë se asnjë subjekt politik pos Vetëvendosjes nuk është marrë me çështjen e pensioneve.
“Sa herë shkelen të drejtat e punëtorëve Lëvizja Vetëvendosje u del krah. Në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, Vetëvendosja si parti social-demokrate është marrë me to”.
Topalli që këto deklarata i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se pensionistët e Kosovës janë pjesë më e anashkaluar e shoqërisë.
“Ne kemi një Ligj Pensional që ka filluar në kohën e UNMIK-ut në vitet 2002 – 2003. Ligji aktual mbështetet në tri shtylla, që financohet nga buxheti i shtetit, punëdhënënsit dhe punëmarrësit dhe shtylla e tretë ajo në bazë vullnetare”.
Sipas tij, krejt kjo gjendje vjen për shkak të punës së keqe të Qeverisë dhe vetëdijes së përgjithshme.
“Puna e shoqërisë është që të bëjë diferencimin mes gjërave të mira dhe të këqijave”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë një varg bisedimesh me shtetin e Serbisë po nuk ka diskutuar çështjen e pensioneve.
“Kjo do të duhej të shtrohej në bisedime, por nuk është bërë”.
Topalli ka treguar se Lëvizja Vetëvendosje ka një alternativë për çështjen e pensioneve.
“Ne sa herë është shtruar çështja e pensioneve e kemi shtruar edhe alternativën tonë, por problemi është se nuk ka gatishmëri politike, dhe ajo që thuhet është se jemi shtet i varfër, prandaj duhet të krijohen mundësitë. Nuk është se ne po zbulojmë ujin e nxehtë”.
Topalli këto deklarata i ka bërë si i ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ku ka thënë se “pensionistët janë të interesuar për një sistem pensional që iu siguron atyre mbijetesë”.
“Shumë prej tyre janë edhe ngarkesë për familjet e tyre, sepse nuk mund t’i sigurojnë as barërat. Qeveria duhet të krijojë parakushtet për zhvillim ekonomik. Qeveria në vend që ta bëjë Trepçën ndërmarrje publike, ku edhe mjetet e trustit mund të investoheshin në ato asete, ajo bën të kundërtën duke u përpjekur për ta privatizuar” ka thënë Topalli në emisionin Info Magazin.