Ferizaj

Topalli: Opozita duhet të përpiqet që të jetë e bashkuar

By FerizajPress

May 25, 2016

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se që nga fillimi ka munguar gatishmëria e pozitës për të reflektuar në lidhje me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Topalli ka theksuar se për bindjen e tij është qeveria ajo që e ka bllokuar funksionimin e Kuvendit, përmes vendimeve që janë marrrë jashtë këtij institucioni, njofton Klan Kosova.

“Nuk ka pasur një gatishmëri të qeverisë për të reflektuar në kërkesat e opozitës, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mungesa jonë në Kuvend është një formë e protestës nga ana jonë. Është pozita që nuk dëshiron të debatojë. Është qeveria ajo që e ka bllokuar Kuvendin e Kosovës me vendimet e marra jashtë Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është përjashtuar nga Qeveria në funksionalitetin e tij. Këta nuk e kanë primare funksionimin e shtetit, por primare i kanë ndërmarrjet e veta dhe interesat e veta”.

Protestat deputeti Topalli ka quajtur simbolike në raport me dëmet që po i bëhen vendit, sipas tij. Ai po ashtu ka deklaruar se opozita duhet të mundohet më shumë për të qenë e bashkuar, njofton Klan Kosova.

“Protestat dhe reagimet tona janë shumë simbolike krahasuar me dëmet që këta po ia bëjnë Kosovës. Nuk ka kuptim që të njëjtën kohë të protestosh kundër qeverisë dhe në anën tjetër të kesh koketime me pushtetin. Opozita duhet të bëjë edhe më tej përpjekje që të jetë e bashkuar. Në politikë rrugët e hapura ekzistojnë gjithmonë, ne nuk ndahemi për çështje personale, por për disa arsye parimore. Ne si Vetëvendosje tentojmë të bëjmë një bashkim me shoqërinë civile, ato organizata, personalitete që dëshirojnë të bashkohen për ndryshim jo për pushtet, qytetarë të pakënaqur e kështu me radhë”.