Gabim të radhës të Qeverisë Mustafa e ka quajtur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, miratimin e raportit të Komisionit për matjen e territorit të Kosovës.
“Dokument pa vlerë që mat territorin pa i ditur kufijtë. Po ashtu metodologjia ka qenë gabim, sepse është matur territori i regjistruar në kadastër, e dihet që një pjesë e territorit të Kosovës nuk është e regjistruar në kadastër as të Kosovës as të Malit të Zi”, ka thënë Topalli, në “Interaktiv” të KTV-së.
Topalli ka thënë se ky veprim i Qeverisë është “tendencë e hedhjes hi syve ndaj qytetarëve të Kosovës se kinse Kosova nuk po humb territor”.
“Ne në Vetëvendosje dëshirojmë që të kemi një fqinjësi të mirë me Malin e Zi, e konsiderojmë vend mik, por jemi për të gjetur një zgjidhje që nuk e dëmton Kosovën. Është për habi se si Mali i Zi ka thënë se është i gatshëm për të rinegociuar marrëveshjen për kufirin, derisa institucionet e Kosovës nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi”, ka thënë Topalli.
Ai ka thënë se marrëveshja për demarkacionin duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar, ndërsa Qeveria e Kosovës të merret me problemet jetike të qytetarëve, siç janë varfëria e papunësia, e prej të cilave, siç ka thënë deputeti Topalli po provohet të shmanget.
“Ne kemi varfërinë më të lartë në Evropë, 120 mijë qytetarë jetojnë me më pak se 50 euro në muaj. Kjo Qeveri është e paaftë për t’i zgjidhur këto probleme, prandaj është kapur për temën e demarkacionit madje duke akuzuar opozitën se po mban peng liberalizimin e vizave”, ka thënë Topalli.
Është shprehur i bindur se edhe po të ratifikohej demarkacioni Kosovës nuk do t’i liberalizoheshin vizat për shkak të, siç ka thënë ai, korrupsionit të lartë.