Lajme

Tomor Qela prezanton të gjeturat e komisionit, thotë se Çakorri nuk është në Kosovë

By FerizajPress

February 21, 2017

Ai ka prezantuar në Qeveri disa harta dhe libra, duke pretenduar se vija kufitare është ashtu sic ka qenë edhe më herët dhe Kosova nuk e humb asnjë metër territor.

Ai ka përmendur literatura të Riza Qaviollit, Qazim Lleshit dhe disa literatura tjera duke thënë se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës, raporton lajmi.net.

Qela ka prezantuar harta të përkthyera në gjuhën shqipe nga autor serbë, po ashtu ka prezantuar edhe disa literatura tjera me pretendimet se Kosova ka tërësinë territoriale aq sa ka pasur, 10 mijë e 906 kilometra katror.

Çakorri ka zgjuar debatë në mes të pozitës dhe opozitës. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se Çakorri është tokë e Kosovës dhe shumë njerëz kanë vdekur duke mbrojtur atë vijë kufitare.

“Raporti është i përbërë nga të dhëna fotografike. Gjatë gjithë kohës është ngritur një hipotezë e madhe rreth çështjes së territorit të Kosovës. Baza juridike, hartografike dhe komunikimi ka qenë themeli i procesit të matjes së territorit të Kosovës. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në ambientet e Qeverisë së Kosovës kanë deponuar dokumente hartografike të cilat përfshijnë matjen e territorit të Kosovës që nga viti 1976 deri më 2016”, ka thënë ai./Lajmi.net/