Thertorja e “Toni Blair” në Prishtinë e shfaqur nga Qendra Multimedia nga Prishtina është shpallur fituese e Festivalit të Teatrove-Ferizaj 2016.
Kjo dramë mblodhi edhe shpërblimet për regji (Blerta Neziraj), aktorin dytësor më të mirë për mashkull (Ernest Malazogu) dhe aktoren më të mirë (Shengyl Ismajli), çmimi për aktorin më të mirë “Ismajl Rama” Adrian Morina.
Edhe trupa e teatrit “Migjeni” nga Shkodra me shfaqjen “Kandili i Argjandit” të Martin Camajt në regji të Fatbardh Smaja, mori disa shpërblime. Kjo dramë u vlerësua si më e mira nga gazetarët e medieve lokale të Ferizajt. Simon Shkreli mori çmimin për aktorin më të mirë ndërsa Eliona Shkreli çmimin aktorja më e mirë femër.
Këtë Festival e ka përshëndetur edhe Petrit Malaj, Pedagog dhe Rektor i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, i cili ishte edhe kryetar i Jurisë Profesionale të Festivalit.
“Nuk është e lehtë që në ditët e sotme të bësh Festival të Teatrove. Por ky teatër po mbahet gjallë më vullnetin e qeverisë komunale, aktorëve , qytetarëve dhe natyrisht edhe sponsorëve.Prania e publikut gjatë gjithë festivalit tregon për një traditë të kulturës në këtë qytet që është edhe një sinjal se në një të ardhme të afërt duhet të mendohet për zgjerimin e hapësirës së teatrit “ Petrit Malaj kryetar i Jurisë së Festivalit.
Me këtë rast, në natën e fundit të Festivalit kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka falënderuar gatishmërinë që ti përgjigjet ftesës për pjesëmarrje Petrit Malaj.
Svarqa ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan që ky Festival të realizoi objektivin e tij.
“Falënderoi të gjithë ata që punuan me përkushtim për të pasur një Festival i cili po dëshmon që është një nga Festivalet më të mira jo vetëm në trojet shqiptare por edhe në rajon, e i cili mundë të jetë konkurrent edhe për vlerat që po shfaqen këtu. Falënderoi të gjithë ata që krijuan një javë festë për të gjithë ne. Tradita 46 vjeçare e këtij festivali ka nxjerrë emra shumë të nderuar të cilët kanë defiluar në këto dërrasa të këtij teatri që kanë bërë që ne sot ta kem ngushtë për shkak të interesimit të madh të publikut ferizajas.” tha Muharrem Svarqa në mbyllje të këtij edicioni të Festivalit të Teatrove.
Ai në fund propozoi që të fillohet edhe për fillimin e përgatitjes së një biografie për teatrin ku shprehu gatishmëri që komuna të ndihmoi në këtë drejtim .