Ferizaj

Themelohet akademia e hendbollit në Ferizaj

By FerizajPress

October 28, 2016

Këtë të premte  në Ferizaj është nënshkruar  marrëveshja për themelimin e akademisë së hendbollit, një pilot projekt  që do të  merret me shkollimin e talentëve të rinj në  këtë sport.

Akademia synon angazhimin e sa më shumë të rinjve për t’u marrë me sportin e hendbollit dhe me zhvillimin psikomotorik të të rinjve, kryesisht të moshave jomadhore.

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) dhe Komuna e Ferizajt themeluan sot me anë të një marrëveshjeje akademinë (shkollën) e hendbollit në Ferizaj. Ky është një pilot projekt një-vjeçar me mundësi vazhdimi, i cili do të fillojë punën më 15 dhjetor të këtij viti dhe do të përbëhet nga një drejtor menaxhues dhe nga dy trajnerë për meshkuj dhe dy trajnerë për femra. Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se shpreson që akademia e hendbollit, të përgatisë të rinjtë që t’ia kthejnë Ferizajt namin e dikurshëm në hendboll dhe shprehu gatishmëri për ta mbështetur funksionimin e kësaj shkolle.

Ndërsa kryetari i Federatës së Henbollit të Kosovës (FHK) Eugen Saraçini, shfaqi bindjen se akademia që po themelohet në Ferizaj, do të shërbejë si shembull që shkolla të ngjashme të hapen edhe në komuna të tjera të Kosovës. Sipas marrëveshjes së themelimit, Komuna e Ferizajt e ka për obligim sigurimin e mjediseve të përshtatshme për funksionimin e akademisë, kurse FHK është përgjegjëse për organizimin e mbarëvajtjes së punës, sipas planit operacional, për angazhimin e ekspertëve të hendbollit dhe për furnizimin e akademisë me rekuzita dhe mjete të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë.

U bë e ditur se ky projekt   kap vlerën prej 30 mijë euro ku   20 mijë euro do të jenë investim nga Federata e Hendbollit të Kosovës ndërsa   10 mijë euro do të jenë investim i  Komunës së Ferizajt.

Të gjithë të interesuarit  që nga dita e sotme  mundë të interesohen për regjistrim  në këtë  shkollë të hendbollit e cila do të zgjatë një vit.