Lajme

“The Sun”: Erdogani e organizoi vetë puçin e shtetit

By FerizajPress

July 25, 2016

Pas puçit të shtetit të ndodhur natën e 15 korrikut në Turqi, shumë teori janë ngritur. Një pjesë e mediave perëndimore kanë ngritur teorinë se puçi ushtarak mund të jetë skenar i Erdoganit. Plani jofunksional i puçistëve në Turqi, organizimi i dobët, moskoordinimi i tyre dhe elemente të tjera kanë bërë që të ndërtohen shumë teori konspirative rreth kësaj ngjarje.

Një element i ri që e bën më të besueshme tezën se Erdogani e ka kryer vetë puçin e shtetit, u publikua sot në gazetën “The Sun”. Media britanike ka raportuar se organet e rendit në Turqi kanë arrestuar 62 nxënës të një shkolle ushtarake në Turqi, si bashkëpunëtorë të puçistëve, por prindërit thonë se fëmijët e tyre nuk kanë të bëjnë aspak me puçin.

Një prind tha se policët i kishin detyruar nxënësit e moshave 14 deri në 17 vjeç që të mbajnë armë në dorë. “Fëmijët tanë asnjëherë nuk kanë mbajtur armë në dorë. Ata janë detyruar nga zyrtarët policorë për ta bërë diçka të tillë”, tha nëna e një djali 15-vjeçar.

Ndërsa babai i një tjetër djali tha se nuk ishte lejuar ta takonte djalin prej kohësh. “Djali im u regjistrua në këtë shkollë, sepse e donte Ataturkun. Ai dhe ne si familje nuk kemi asnjë lidhje me Gylenin dhe me atë organizatë”, tha ai. Edhe një avokat turk ka thënë për median britanike se fëmijët janë të pafajshëm dhe janë detyruar të mbajnë armë.