Lajme

Edhe Oda Amerikane ka një kërkesë ndaj Thaçit

By FerizajPress

February 11, 2019

Projektligji për pagat ka shkaktuar pakënaqësi të shumta si në sektorë publikë dhe privatë. Presidenti Thaçi ka pranuar se i kanë shkuar në zyrë të tij shumë ankesa, ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, kërkon që ligji të mos dekretohet nga presidenti, por të kthehet në forumet e diskutimit Protesta e greva të shumta janë mbajtur e janë paralajmëruar pas miratimit të Ligjit për Paga. Ankesa e kërkesa për mos-dekretim janë dërguar në zyrën e presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se do të marrë një vendim në interesin e shoqërisë kosovare.

Kundërshtimin që nga fillimi ndaj Ligjit për Paga e ka shprehur edhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, duke e parë si jo të mirë rritjen e hendekut ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka, për Radio Kosovën ka deklaruar se absolutisht sektori privat e ka të pamundur t’i ndjekë trendët e rritjes së pagave në sektorin publik.

“Ne, si përfaqësues të sektorit privat, i kemi bërë thirrje Qeverisë edhe Kuvendit që të marrë parasysh edhe rekomandimet dhe shqetësimet e sektorit privat në të njëjtën kohë”, tha ai.

Zeka në këtë fazë shprehet kundër dekretimit të ligjit nga presidenti Thaçi. “Prandaj do të ishte një zgjidhje e mirëpritur që ligji sërish të kthehej në forumet e diskutimit, në këtë rast në Kuvend, të lihet hapësira e diskutimit gjithëpërfshirës, edhe të marrjes parasysh të komenteve dhe sugjerimeve të të gjitha palëve”, pohoi ai.

Shkaku i grevës së Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, të mërkurën, është paralajmëruar edhe bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Prishtinës për një orë.