Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i kënaqur me deklaratën e NATO-s, të lëshuar pas samitit të Aleancës të mbajtur në Varshavë, këtë muaj.
Thaçi e mirëpret vlerësimin që NATO i bën angazhimit të shtetit të Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon, e sidomos zotimin e Aleancës se do të vazhdojë të përkrahë zhvillimin e infrastrukturës së sigurisë në Kosovë.
Deklarata e plotë e Presidentit Thaçi e postuar në facebook:
Deklarata e Samitit të NATO-s në Varshavë është e mirëseardhur për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor, pasi rithekson se rajoni mbetet me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se NATO mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Na vjen mirë që NATO mirëpret aspiratën e Kosovës që të ofrojë siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e tërë rajonit. Por, veçanërisht na gëzon fakti që Aleanca do të vazhdojë të përkrahë zhvillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe deri në ministerialin në dhjetor do t’i japë përgjigje edhe kërkesës sonë shtetërore për marrëdhënie më të avancuara me NATO-n.
Vlerësimi që na bëhet nga NATO është mirënjohje për neve dhe na bën të përkushtohemi edhe më shumë për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës, të trajnuara dhe të përgatitura sipas kritereve të NATO-s.
Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë multietnike, me përfaqësim të duhur etnik e gjinor, në shërbim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit.