Ferizaj

 Thaçi takon mësimdhënësit kaçanikas

By FerizajPress

November 10, 2016

Me ftesë të Kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, takoi mësimdhënësit kaçanikas.

Presidenti Thaçi tha se edukimi i lartë është qelës i çdo suksesi në Republikën e Kosovës. ” Edukimi është qelës i së ardhmes së sigurt në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe në ngritjen e mirëqenies sociale. Po kalojmë në situata të reja dhe të konsoliduar për vendin tonë, jemi në rrugë të sigurt për përfundimin me sukses në rrugën integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian” tha Presidenti Thaçi.

Ai më tutje foli edhe për sukseset e shtetit të Kosovës në sport në arenën ndërkombëtare. “ Ky ishte viti historik i Kosovës në sport. Morëm pjesë në lojërat olimpike me vetëm tetë talent dhe u kthyem me medaljen e artë, ndërsa tani Kosova është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s” tha Presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami tha se po takohemi në kuadër të traditës disa vjeçare të takimeve vjetore me mësimdhënës. Ministri Bajrami përgëzoi mësimdhënësit për punën që po bëjnë në ngritjen e cilësisë së arsimit, ndërsa i njoftoi për ndërtimin e dy shkollave të reja në Kaçanik. “ Ju përgëzoj juve mësimdhënës të nderuar për punën që po bëni për të promovuar një mësimdhënie aktive në ngritjen e cilësisë në arsim. Kemi miratuar buxhetin në ministri dhe vitin e ardhshëm do të ndërtohet Shkolla Fillore “ Qamil Ilazi” në fshatin Kaçanik të Vjetër si dhe Shkolla Fillore “ Gafurr Luma” në fshatin Glloboqicë pasiqë ne jemi të bindur se investimi në arsim do t’i kthehet shoqërisë, ndërsa Komuna e Kaçanikut prin në nivel republikan sa i përket ngritjes së cilësisë.” tha Ministri Bajrami. Ai më tutje tha se sot profesioni i mësimdhënësit është një profesion i respektuar dhe i kërkuar nga të rinjët, ndërsa mësuesi është patriot i kohës moderne.

Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, falënderoi Presidentin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Arsimit Arsim Bajrami, për vizitën në Kaçanik, duke shtuar se prania e tyre është nder për mësimdhënësit e Komunës së Kaçanikut. Kryetari Ilazi tha se arsimi në Kosovë ka kaluar nëpër dekada të vështira dhe është sfiduar shumë herë, ndërsa tani arsimi është shtylla kryesore në edukimin e brezave të rinjë. Në emër të mësimdhënësve kaçanikas, foli profesori i Historisë Ilmi Hoxha, i cili tha se mësimdhënësit kaçanikas janë mirënjohës për të gjitha investimet e bëra në Kaçanik në rregullimin e infrastrukturës shkollore dhe në ngritjen e cilësisë në arsim.