Lajme

Thaçi: S’ka pasur më shumë se 15 mijë luftëtarë me uniformë, të tjerat janë mashtrime

By FerizajPress

October 04, 2018

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë sot se drejtësia në Kosovë duhet t’i inkurajohet që rastit të veteranëve t’i shkohet deri në fund, pasi sipas tij, nuk ka pasur më shumë se 12-15 mijë luftëtarë në uniformë, ndërsa të tjerat janë mashtrime.

Thaçi këto komente i bëri në konferencën rajonale kundër korrupsionit që po mbahet në Prishtinë.

“Për rastin e veteranëve duhet ta inkurajojmë drejtësinë që kësaj çështje t’i shkojë deri në fund. E vërteta është shumë e qartë, nuk ka pasur më shumë se 12 mijë-15 mijë luftëtarë me armë dhe uniformë, ndërsa të tjerat janë mashtrime. Këtij mashtrimi të madh me humbje të madhe të buxhetit të Kosovës duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë, dhe jo përmes kërcënimeve dhe presionit politik prej kujtdo që vjen”, ka përfunduar presidenti.

Presidenti i vendit po ashtu ka folur edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të sillte dobi jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Do të jemi fitues të gjithë, ndërsa humbës do të ishin vetëm njerëzit e kriminalizuar….”, tha ai, duke shtuar se pret mbështetje nga miqtë ndërkombëtar.

Ndryshe, presidenti gjatë kësaj konference ka folur edhe luftimit të korrupsionit në Kosovë.

Ai tha se korrupsioni nuk është çështje specifike vetëm për Kosovën apo për vendet e rajonit.

“Republika e Kosovës është shteti më i ri në rajon, përgjatë 10 viteve shtet, ka marr një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit Kushtetutës.  Shteti ligjor (shteti i së drejtës) dhe qeverisja e fortë, e prirë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, e ushqejnë rritjen ekonomike të një vendi dhe hap perspektiva për të gjithë qytetaret. Në këtë drejtim Republika e Kosovës ka miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë, duke krijuar edhe mekanizma institucional dhe ndërinstitucional për ketë qëllim. Por, kemi edhe sfida që ndërlidhen me zbatim të legjislacionit dhe funksionim e këtyre mekanizmave”, u shpreh presidenti.