Lajme

Thaçi në OKB: Nuk është ushtria e Kosovës kërcënim për rajonin, janë deklaratat e Serbisë për luftë

By FerizajPress

December 17, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për themelimin e ushtrisë së Kosovës, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, e cila është thirrur me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë gjatë javës së kaluar”, është shprehur Thaçi.

Themelimi i ushtrisë së Kosovës, ka thënë Thaçi, “është vendim i drejtë, në mision dhe qëllim”.

“Nëse Kosova ka bërë gabim, është sepse ka pritur pa nevojë 5 vite për themelimin e ushtrisë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka shtuar se themelimi i ushtrisë së Kosovës “është i vonuar, dhe assesi i gabuar”.

“Kemi pritur vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më tani s’e treguan në raport me shtetin e Kosovës”, ka theksuar Thaçi, raporton Gazeta Express.

“Tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka marrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj”, është shprehur ai.

“Çka ka të jashtëzakonshme këtu?”, ka pyetur Thaçi. “Asgjë fare, që është në kundërshtim me rezolutën 1244, pakon e Ahstisaarit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, apo të drejtën ndërkombëtare”, ka shtuar Thaçi.

“Pikë së pari, rezoluta 1244, paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK’së, proces i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa incident në shtator 1999”, ka kujtuar ai.

Demilitarizimi i UÇK’së, ka theksuar Thaçi, “ishte vlerësuar lart nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së dhe nga sekretari i atëhershëm Kofi Annan”.

“I vlerësuar edhe nga NATO, dhe kjo mbështet nga dëshmitë në raportet ekzistuese të NATO’s dhe UNMIK’ut atëkohë”, ka shtuar ai.

“Së dyti, Pako e Ahtisaarit, të dërguarit të posaçëm të OKB’së për negociata lidhur me statusin e Kosovës… neni 52 nënvizon të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri”, ka thënë presidenti kosovar.

“Në fund fare, më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i marrë pas iniciativës së shtetit serb”, është shprehur ai.

Ky vendim, ka kujtuar Thaçi, “nënvizon qartë, si loti, se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj”.

“Rrjedhimisht, e drejtë e pakontestueshme e Kosovës të ketë ushtrinë e saj”, ka theksuar Thaçi.

“Themelimi i ushtrisë është vullnet i qytetarëve me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit”, ka deklaruar ai.

“Pavarësisht i pëlqeu dikujt apo jo”, ka shtuar Thaçi. “Shteti serb është paraqitur i zemëruar, por jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë presidenti kosovar.

“Ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet”, ka thënë Thaçi më tej.

Ai ka deklaruar se ushtria e Kosovës “nuk është mesazh kundër askujt”.

“Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt”, ka nënvizuar ai. “Është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti i Kosovës ka kujtuar se “10 për qind” e pjesëtarëve të FSK’së “janë nga komunitetet joshumicë”.

“Më vjen keq që pjesëtarë të FSK’së janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezolutat i presionit sistematik nga pushteti i Serbisë”, ka thënë Thaçi.

“Kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e pjesëtarëve serbë nga presioni nga shteti i serb”, ka deklaruar ai.

“Shtëpitë u janë sulmuar me granata, janë mbajtur me orë të tëra nga policia serbe kur kanë udhëtuar në Serbi. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë Thaçi.

“Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet irracionale për konflikt dhe luftë nga fqinji ynë verior”, ka deklaruar Thaçi.