Lajme

Thaçi: Në dialogun me Serbinë të kontribuojnë partitë politike, shoqëria civile…

By FerizajPress

July 03, 2017

Në intervistën nga Brukseli, Thaçi tha se rruga e vetme integruese e Kosovës është ajo e dialogut dhe e integrimit e cila nuk duhet të ketë divergjenca politike.  

Ai tha se takimi i sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është në vazhdën e takimeve të tjera, ndërsa u shpreh optimist se ky lloj dialogu do të ketë një fund të kënaqshëm për qytetarët e Kosovës dhe për shtetet mike të saj, SHBA-në por edhe BE-në si ndërmjetësuese e dialogut.

Presidenti kosovar edhe kësaj here ftoi të gjitha partitë politike, liderët partiakë, mediet, shoqërinë civile, por edhe ekspertët që të japin kontributin e tyre në këtë proces negociator.

“Vetëm nëpërmjet bisedimeve dhe integrimit do të ecim përpara në rrugën e paqes dhe stabilitetit e integrimit. Të gjithë duhet të jemi përgjegjës në detyrat tona…” u shpreh Thaçi.

I pyetur se a mund të ketë sivjet marrëveshje të përbashkët me Serbinë, Thaçi tha se për shkak të bisedimeve delikate, nuk mund të jepen data, por se bisedimet duhet të kenë një epilog të kënaqshëm.

“Ne dhe ndërkombëtarët janë të interesuar që çështjet të ecin përpara. Sepse sa më parë që ecin bisedimet  edhe dy shtetet ecin më shpejt në procesin integruese”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, po ashtu tha se në këtë proces dialogues nuk duhet të ketë populizëm dhe duartrokitje, por që procesi do të përfundojë në kornizat e kushtetutës së vendit. “Fqinjësia e mirë dhe vazhdimi i reformave demokratike, ekonomike, politike e legjislative, e përshpejtojnë Kosovën në BE”, ritheksoi Thaçi, duke premtuar po ashtu për mandatimin e shpejtë të fituesit të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, dhe ecjen përpara me procese demokratike.