“Shqipëria dhe Kosova janë dy vende sovrane, por sa më shumë që ka konsultime aq më mirë është. Të dy vendet janë të orientuar kah e ardhmja euro-atlantike. Ne kemi të njëjta ambicie, opinione dhe bindje për zhvillimet. Mendoj që qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në Beograd kanë qenë parimore dhe të drejta. Kosova është duke ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë zgjidhen drejtpërdrejtë me mbështetje ndërkombëtare. Por edhe mesazhet e kryeministrit Rama mund të kenë rol ndihmues në këtë proces. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe nuk kalon nga Beogradi përmes Tiranës, por nga Prishtina”.
Duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në Mal të Zi, ai ka deklaruar se shpreson që qytetarët e shtetit fqinj të orientohen kah e ardhmja euro-atlantike e rajonit, duke theksuar marrëdhëniet e mira kosovaro-malaziase, të vëna në pah gjatë luftës së fundit në Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë nga të dy shtetet, njofton Klan Kosova.
“Mali i Zi ka bërë një veprim shumë të guximshëm në vitet e luftës, duke strehuar mijëra refugjatë nga Kosova. Atëherë Milo Gjukanoviq pati deklaruar se ajo nuk është lufta e tyre dhe do t’i strehojë qytetarët e Kosovës. Ndërsa kur Mali i Zi e pati shpallur pavarësinë, Kosova i është gëzuar këtij fakti. Më pas ai e pati njohur pavarësinë e Kosovës. Sot në Mal të Zi kemi të bëjmë me një opozitë pro-ruse, që ka deklaruar se nëse vjen në pushtet do ta tërheq pavarësinë e Kosovës dhe do të rishikojë partneritetin me Evropën. Prandaj edhe ne, edhe shqiptarët atje janë të orientuar kah e ardhmja euro-atlantike e Malit të Zi. Besoj që do të kemi një vullnet të njerëzve për të ardhmen e sigurt”.
Presidenti Thaçi ka komentuar edhe raportet e Kosovës me Turqinë, pas puçit të dështuar të shtetit në këtë të fundit.
Ai është shprehur se ato vazhdojnë të mbeten të mira, duke bërë të qartë që sovraniteti i vendit nuk preket nga këto marrëdhënie.
“Nuk ka as ftohje, as ngrohje, por bashkëpunim mes Kosovës dhe Turqisë. Turqia është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë tonë. Sa i përket tentimit për grushtshtet, ne kemi treguar qëndrimin tonë: respektojmë institucionet legjitime. Bashkëpunimi mes dy shteteve është duke vazhduar, por Kosova vendimet i merr vet dhe nuk ka asnjë interferim në punët tona të brendshme”, tha ai.
“Ne punojmë sipas standardeve tona, Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve tona dhe nuk biem në asnjë ndikim. Qëndrimet e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, lidhur me çështjen e shkollave të Fetullah Gulenit në Kosovës, kanë qenë të koordinuara dhe me mu. Raportet me shtetin turk do të vazhdojnë të mbeten të mira. Por ata nuk duhet të shikohen në rrafshin privat, apo personal. Por po e përsërit, Kosova është vend sovran dhe vendimet për rrugën e saj i merr vet”.
Ai po ashtu ka premtuar se Kosova së shpejti do të njihet nga Vatikani, ku shteti për pak kohë do të hapë konsullatë, për të thelluar marrëdhëniet, edhe ashtu të mira, sic ka thënë ai, njofton Klan Kosova.
“Kosova ka traditë të bashkëpunimit me Vatikanin. Edhe presidenti Ibrahim Rugova ka bashkëpunuar me Vatikanin, si edhe unë. Nuk duhet të harrohet qëndrimi i Papa Gjon Palit II për luftën në Kosovë. Më duhet të theksoj se Papa Francesku ka bërë një lëvizje shumë dinamike në raport me shqiptarët dhe rajonin. Pas ftesës që i kam bërë, më ka premtuar që do ta vizitojë Kosovën. Dhe Vatikani në një formë apo tjetër është duke i nxjerrë në sipërfaqe vlerat identitare të vendit. Po ashtu për pak ditë do ta hapim Konsullatën në Vatikan. Njohja e Kosovës nga Vatikani është cështje kohe”, tha Presidenti.
.