Te premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë tri projektligjet të cilat i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë ekskluzive për Indeksonline ka thënë se janë përmbushur të gjitha parametrat e nevojshme që parlamenti të votoj dhe të mandatojë ushtrinë e Kosovës, e cila do të quhet Forcat e Sigurisë së Kosovës, e cila e ka në përgjegjësi mbrojtjen e Kosovës. “Është me rëndësi që Kosova e ka kaluar të them një sprovë të veten deri te ushtria, është shprehur e gatshme t’i integroj të gjithë në ushtri, edhe komunitetet edhe serbët e Kosovës. Pastaj ka adaptuar standarde të ushtrisë që janë euroatlantike, është një forcë moderne dhe këtë të premte pra janë përmbushur të gjitha ato parametrat e nevojshme që parlamenti të votoj dhe të mandatoj ushtrinë e Kosovës, e cila do të quhet Forcat e Sigurisë së Kosovës, e cila e ka në përgjegjësi mbrojtjen e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj. Kryeministri ka komentuar edhe deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ato të ambasadorit të ShBA-ve, Philip Kosnett të cilët flasin për transformimin e FSK-së në ushtri, ku i pari është kundër formimit të ushtrisë ndërsa i dyti pro. “Tani janë bërë 20 vite nga lufta, NATO ka intervenuar në Kosovë dhe ne jemi shumë mirënjohës misionit të NATO-s, KFOR-it për paqe dhe nuk ndryshon partneriteti ynë me KFOR-in, pra do ta vazhdojmë këtë partneritet edhe në të ardhmen. Njëkohësisht ka ardhur momenti që edhe Kosova të kontribuoj në siguri e jo vetëm ta absorboj me ushtrinë e vet. Deklarata e qëndrimi i ambasadorit Kosnett për ushtrinë është në vijën, në atë që ka qenë qëndrim i përhershëm i SHBA-ve se Kosova ka drejt me ushtrinë e vet dhe e kanë përshëndet një transformim transparent, me procedura të rregullta parlamentare”, ka deklaruar Haradinaj për Indeksonline. Sipas kryeministrit, ushtria është e gjithë Kosovës, e çdo pjese të Kosovës, e të gjithë neve. “Nuk do të thotë se ushtria do të shkoj me defiluar në veri menjëherë apo do të krijoj provokime e të tjera. Nuk është qëllimi ynë, nuk e bëjmë ushtrinë për veri, por po e bëjmë për paqe, për gjithë vendin tonë, por edhe me dëshirë me i ndihmuar Amerikës, NATO e aleatëve tanë për vendosjen e paqes”, ka thënë kreu i ekzekutivit, duke shtuar se Kosova është anëtar i koalicionit botëror kundër terrorizmit.33 Kosova, sipas Hradinajt, ka ndihmuar me e luftu ekstremizmin e terrorizmin dhe dëshira jonë është të ndihmojmë për më shumë paqe, e jo ashtu si e bën Serbia, kur dihet se plot mercenarë serbë sot janë në Rusi e Ukrainë dhe e rrezikojnë Evropën, e ka prej tyre që janë edhe në listën e pagesave të Serbisë, të tjerë janë në Siri e në vende tjera të krizave, janë në anën e Rusisë për destabilizim. Dallimi është i madh mes asaj që bën Kosova për paqe dhe stabilitet Kryeministri ka komentuar edhe heshtjen e presidentit Thaçi sa i përket iniciativës së qeverisë dhe Kuvendit për të formuar ushtrinë. “Presidenti është përkrahës i kësaj teme, ai e ka iniciuar edhe në të kaluarën. Nuk besoj që kemi përçajmë as institucionale as ndërmjet partive për sa i përket ushtrisë. Ai është për, i kam informatat, kam pasur takim me të, ka thënë që do të përkrah formimin e ushtrisë sonë”, ka pohuar kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj./Indeksonline/