Lajme

Thaçi e cilëson Haradinajn rrezik për Kosovën, parashikon fat të keq për të

By FerizajPress

February 25, 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet i bindur se taksa për mallrat serbe duhet të rishikohet për t’u hequr, për dy arsye.

E para, sepse, sipas tij, mallrat serbe, pavarësisht masës së vendosur, po futen kontrabandë, dhe e dyta, se Kosova nuk mund të dalë kundër këshillës së Amerikës.

I pyetur në Report Tv nëse Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj do të bjerë, nëse nuk e heq taksën 100% kundrejt produkteve serbe, Thaçi është përgjigjur: “Pushtetet janë të ndara. Presidenti ka punën e vet, Kuvendi ka të vetën, ashtu si edhe qeveria ka punën e vet. Puna e taksës është një çështje që e ka vendosur qeveria me propozimin e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës me 10% dhe pastaj është avancuar në 100% nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili e ka propozuar, nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe që është institucionalizuar nga qeveria e Kosovës”.

“Tani u takon që ta zhvillojnë debatin vetë, brenda në qeveri, por një gjë mund të them se Serbia e ka merituar një vendim të tillë, në veçanti pas veprimeve agresive që ka bërë në raport me diplomacinë e Kosovës dhe të drejtën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol dhe në UNESCO, por edhe në përpjekje për mosnjohjen e Kosovës nga vende të caktuara në botë”, ka shtuar ai.

“Por duhet pasur parasysh se tani kaluam një kohë dhe unë besoj gjithashtu se do të ketë një debat të brendshëm mes partnerëve të koalicionit dhe, me të gjithë ata që kam diskutuar, shohim se ajo taksë ka pasur efektin e vet”, ka thënë Thaçi.

“Me të gjithë partnerët që kam diskutuar shoh një vullnet për të lëvizur përpara, t’i hapet një mundësi dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nuk pajtohem në asnjë rrethanë që Serbia të kushtëzojë dialogun”, është shprehur Thaçi.

“Gjithashtu edhe Kosova nuk duhet ta vështirësojë këtë proces, sepse, pavarësisht se taksa tani është në fuqi, mallrat serbe janë duke hyrë në Kosovë qoftë përmes kontrabandës në veri, që tani është fuqizuar, dhe për këtë duhet të jemi realistë dhe kemi diskutuar me intitucionet e Kosovës, por mallrat serbe po futen edhe përmes Malit të Zi, përmes Shqipërisë dhe në veçanti përmes Maqedonisë. Prandaj mallrat serbe janë prezente në Kosovë. Është e vërtetë që po funksionon taksa, por ato po futen përmes shteteve të tjera”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do të ishte më mirë që të luftohet kontrabanda, sesa të hiqet taksa, Thaçi ka thënë: “Për fat të keq, pas taksës kemi edhe dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri dhe tani atje nuk ekziston një kontroll i institucioneve të Republikës së Kosovës, me përjashtim të dy policëve dhe të dy doganierëve kosovarë”.

“Tani duhet të shikohet se cila do të jetë përparësia e Kosovës dhe jo e individit, në mënyrë që të ndalet kontrabanda sepse tani, nuk ka pasur për një kohë të gjatë, por i ka hapur rrugë kontrabandës, sikurse i ka hapur rrugë ardhjes apo sjelljes së produkteve serbe në mënyrë të njëjtë, por nga vendet e ndryshme, në veçanti nga Maqedonia, e theksoj, por edhe nga Mali i zi e nga Shqipëria. Kështu që dyqanet kosovare janë të mbushura me mallra serbe, të ardhura nga drejtime të ndryshme. Por çështja e taksës nuk është e ndërlidhur drejtpërdrejt me Serbinë. Tani kemi këshillat dhe rekomandimet e SHBA-ve që të ketë një pezullim të përkohshëm dhe mendoj se ngurtësia e treguar në këtë çështje, mund të ketë pasoja jo të mira për vendin tonë, për shoqërinë tonë dhe në veçanti për institucionet e Kosovës”, ka shtuar ai.

“Askush nuk e ka menduar se Kosova do të mund të kontestonte këshillën e SHBA-ve, duke u nisur nga Presidenti Tramp, nga Sekretari Pompeo dhe nga Departamenti i Mbrojtjes, të cilët i kanë dërguar letër Kosovës që ta respektojë këshillën e tyre, ta pezullojë taksën për një periudhë të shkurtër kohore, t’i hapë rrugë dialogut dhe të arrihet mundësisht marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Tani, për fat të keq, kemi veprimet e para të SHBA-ve në kuptimin e masave ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe ndaj Policisë së Kosovës, ndaj Doganave, me ekspertizën e tyre që kanë dhe në këtë drejtim ne duhet të shikojmë se cili është interesi ynë”, ka deklaruar presidenti kosovar.

“Nuk duhet që për shkak të armiqësisë me Serbinë të cenojmë raportet strategjike me SHBA-të. Pra, për asnjë taksë nuk duhet të cenojmë miqësinë e përjetshme me SHBA-të, në një formë apo një formë tjetë. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se SHBA-të janë hisedarë në lirinë dhe në pavarësinë e Kosovës. Ato kanë luftuar për lirinë e Kosovës, për çlirimin e Kosovës. Janë sot prezent në Kosovë. Kanë investuar dhe shpenzuar me miliarda e miliarda, kanë qendrën ushtarake në Kosovë, më të fuqishmen në rajon. Kështu që këto këshilla, mendoj që duhet të merren seriozisht. E theksova se as partnerë e miqtë tanë, as armiqtë tanë nuk e kanë menduar që do të vinte një ditë kur Kosova do t’i thoshte “jo” këshillës së SHBA-ve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës kërkon që këshilla e SHBA-së për heqjen taksës me Serbinë të dëgjohet, pasi pa mbështetjen e Amerikës, sipas tij, integrimi në NATO, BE apo edhe njohjet mbesin ëndërr.

“Kosova është shtet në ndërtim e sipër, në një proces konsolidues të brendshëm dhe ndërkombëtar. Nuk e ka luksin dhe nuk guxon t’i thotë “jo” këshillës së SHBA-ve. Ne, për fat të mirë, si komb jemi që prej tri dekadave të orientuar nga vlerat e civilizimit botëror. Na kanë pranuar realisht edhe Kosovën edhe Shqipërinë. Është fat që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe kurrë, edhe sot, Shqipëria nuk do të ishte pjesë e NATO-s pa vendimmarrjen e SHBA-ve dhe konkretisht të Presidentit Bush. Gjithashtu edhe Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur pa SHBA-të. Janë naivë ata që mendojnë se do ta fitonim luftën vetë”, shprehet Thaçi.

“Do të përfundonim të izoluar, të rraskapitur, të ndjekur, të deportuar, spastrim etnik, gjenocid dhe pa mbështetje ndërkombëtare. Prandaj duhet shikuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot dhe në çfarë drejtimi do të shkojmë. Realisht SHBA-të nuk kanë pakënaqësi me proamerikanizmin e popullit të Kosovës”, ka vlerësuar Thaçi.

“Kanë pakënaqësi me çështje të politikave të qeverisë në Kosovë, prandaj duhet bërë dallimi në mes të partneritetit të SHBA-ve me shtetin dhe me popullin e Kosovës dhe politikën e gabuar në segmente të caktuara të qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

“Kosova nuk guxon dhe nuk e ka luksin të marrë një pozicion të tillë që i kënaq, dhe këtë mund ta them lirisht, kundërshtarët e pavarësisë apo kush ka mundur të imagjinojë në këtë botë që 20 vite pas luftës, Serbia të jetë më luajale në kuptimin e qeverisë në raport me SHBA-të dhe Kosova më pak e dëgjueshme, në kuptimin e respektimit të këshillave. Por duhet kuptuar gjithashtu se ka pasur edhe vende të tjera që nuk i kanë dëgjuar këshillat e SHBA-ve, por nuk kanë përfunduar mirë”, ka deklaruar Thaçi.

“Ka pasur zhvillime anekënd botës. Ka edhe sot zhvillime të tilla, kështu që gjithmonë duhet të kemi parasysh interesin strategjik të vendit tonë, shtetit të Kosovës sepse synimi është që të jemi pjesë e NATO-s, e BE-së dhe e OKB-së”, ka shtuar ai.

“Mendon dikush se Kosova do të fitojë njohje të reja, anëtarësime në organizatat ndërkombëtare dhe do të lëvizë shpejt drejt NATO-s dhe BE-së, por në veçanti drejt NATO-s pa mbështetjen e SHBA-ve? Është një ëndërr, është një filozofi shumë e rrezikshme, e cila është në kundërshtim të plotë me vullnetin dominues të qytetarëve të Kosovës, me vlerat që ne përfaqësojmë dhe me bazamentin e luftës që ne kemi zhvilluar. Kështu që unë e theksoj, që dashuria në raport me SHBA-të e Kosovës është shumë më e madhe sesa respekti për taksën”, është shprehur presidenti i Kosovës.