Lajme

Tetë të vdekur në ndërtimtari, Auditori konstaton se shteti nuk po e kryen punën

By FerizajPress

September 12, 2016

Në sektorin e ndërtimtarisë, në vitin 2014 janë raportuar 63 raste të lëndimeve dhe 9 vdekje, në 2015 janë evidentuar 44 lëndime dhe 8 raste të vdekjeve. Kjo shifër mendohet që është më e madhe, pasi konsiderohet që pronari nuk i paraqet rastet për t’u ikur përgjegjësive ligjore. Në vitin 2012 dhe 2013 ka pasur nga 17 të vdekur, shkruan lajmi.net.

Këto shifra janë nxjerr nga Auditori Gjeneral duke ju referuar të dhënave shtetërore, nga ku ky institucion ka verifikuar nëse sistemet e kontrollit të Inspektorit të Punës (IP) janë funksionale/efektive. Pos që ka publikuar rreth 100 raporte të institucioneve të ndryshme, kryesisht lidhur me pasqyrat financiare të vitit 2015, auditori një kapitull të veçantë ia ka kushtuar edhe sigurisë në punë e punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë. Ky kapitull është theksuar tek Raporti i fundit i auditivit. Pra tek, Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar që reflekton rezultatet e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Organizatave Buxhetore individuale.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka përgatitur draft-planin strategjik/zhvillimor për siguri dhe shëndet në punë, në të cilin janë përcaktuar synimet e IP, por kjo strategji ende nuk është miratuar nga Ministri. IP nuk ka hartuar plan të qartë operativ, vendimet për inspektime janë të rastësishme. Po ashtu IP nuk ka krijuar proces formal të raportimit mbi gjendjen e zbatimit të ligjit. I mungojnë kapacitetet teknike dhe profesionale që ndikojnë në mosrealizimin e inspektimeve të duhura”, ka vërtetuar auditori

Po ashtu, auditori ka vërejtur që, edhe Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, nuk është funksionalizuar ende. “Ky është organ këshillëdhënës i Qeverisë i cili propozon, rekomandon dhe harton politika si dhe përcjell gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë”.

“Mekanizmat për siguri dhe shëndet në punë duhet të funksionalizohen me qëllim që të rritet siguria (fizike) në punë për punëtoret e sektorit të ndërtimtarisë”, ka rekomanduar auditori. /Lajmi.net