Testi për mësimdhënës i paraparë të mbahet në muajin tetor është kundërshtuar nga drejtues të sindikatës së arsimit dhe vetë mësmidhënësit ferizajas. Sipas tyre, ky është një eksperiment që po bënë ministria dhe nuk ka marrë përkrahjen e sindikatës, sepse mësimdhënësit nuk kanë nevojë për matje të performancës së tyre në këtë mënyrë. Mësimdhënësit ndërkaq kanë vlerësuar se testi është denigrim i personalitetit dhe mosnjohje e dijes së tyre dhe diplomave, prandaj edhe do të kundërshtojnë organizimin e tij duke lënë të nënkuptohet se nuk do t’i nënshtrohen këtij lloji të testit
Kreu i Sindikatës së Arsimit në Ferizaj, Rexhep Sadiku ka thënë ky është një model i importuar nga Republika e Shqipërisë për matje të përformancës së mësimdhënësve, por që edhe atje është treguar i dështuar, pasi 70 për qind e mësimdhënësve atje nuk e kanë kaluar.
“Performanca mund të matet me forma të ndryshme, përmes kontrollit nga inspektorët e arsimit apo nga personeli i shkollës, por një test siç po thuhet i këtillë është jo profesional, madje nuk ka as bazë ligjore. Mësimdhënësi i mirë është ai që përdorë forma e mekanizma adekuate gjatë punës me nxënës dhe kjo është vlera e tij”, ka thënë Sadiku.
Edhe mësimdhënësit ferizajas kanë thënë se nuk e përkrahin një formë të këtillë të testimit, pasi mund të ketë një prapavijë dhe mund të përdoret për qëllime tjera, në dëm të mësimdhënësve. Sipas tyre, testi të mbahet për ata mësimdhënës që konkurrojnë për vende pune, por jo edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në mësimdhënie.
“Po të ishte real do të ishte i mirëseardhur, por nuk mund të jetë real, pasi ka mundësi të keqpërdoret. Ne kemi përvojë jo të mirë me testin e maturës së nxënësve”, ka vlerësuar mësimdhënësja, Lebibe Topalli.
Edhe arsimtari i matematikës, Agim Bytyçia ka thënë se performanca e mësimdhënëve të matet me rastin e pranimit të tyre në punë, por jo edhe për ata me përvojë të gjatë.
Një test psikologjik, sipas zyrtarëve të SBASHK-ut, do të ishte i mirëseardhur, pasi një numër i mësimdhënësve kanë kaluar nëpër periudha të rënda.
Edhe për modelet e testit mësimdhënësit janë shprehur rezerva, pasi nuk dihet se çka mund të përmbajë një test dhe kush janë hartuesit e tij
Ditë më parë edhe kryesia e SBASHK-ut dhe këshilli drejtues i kësaj sindikate e kanë kundërshtuar këtë vendim të MASHT-it. Ata madje kanë paralajmëruar edhe greva në rast se një test i tillë tenton të mbahet.